NGA KLODIANA HAXHIAJ*

DURRËS- Me qindra familje  të Durrësit, nga periferitë e fshatrave deri në qendër, gjenden pa ujë të pijshëm në pikun e sezonit veror. Duke përfshirë zonën turistike, komunat dhe të 18 lagjet e Durrësit, mungesa e ujit të pijshëm është evidente. Nuk ka familje që minimalisht ka ulje të sasisë së ujit, në rastin më të mirë, ndërsa në rastin më të keq, nuk janë furnizuar me ujë për ditë të tëra.

Janë me qindra banorë që për çdo ditë bëjnë ankesë në zyrën e ankesave në Ujësjellësit në Durrës, ndërmarrje kjo e cila jo pa “arrogancë” pret ankesat e tyre. Njëkohësisht banorët pa ujë i drejtohen çezmës së vetme publike që gjendet në territorin e brendshëm të ndërmarrjes ku mbushin ujë me bidonë. Këtu është bërë situate si në” krojet e fshatit”, ku përplasen të gjitha hallet e banorëve të tharë për ujë të pijshëm.

Të shumtë janë emigrantët të kthyer për pushime që po përballen me thatësirën.  Të gjithë me bidonë në duar përpara ujësjellësit.

Skandali vijon edhe më tej, ku pak metra nga çezma publike gjendjet një lavash, mu përpara drejtorisë së ujësjellësit, që shërben për të larë mjetet e tyre punonjësit e kësaj ndërmarrjeje. Kryetari i degës teknike në ujësjellësin e Durrësit, Lorenc Faja deklaroi se situata është vështirësuar ditët e fundit për shkak të rritjes së temperaturave, thatësirës si dhe shtimit të popullsisë për shkak të sezonit turistik.

“Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë dhe iu bën thirrje atyre që të kursejnë në maksimum ujin e pijshëm. Ju bëjmë thirrje sidomos atyre që në këto ditë e përdorin ujin e pijshëm për larjen e automjeteve, të rrugëve apo ujitjen e tokave që ta ndërpresin një gjë të tillë. Nga ana tjetër paralajmërojmë personat që abuzojnë me ujin e pijshëm se do të ketë masa ndëshkuese nga gjoba deri në ndjekje penale për ata që ndërhyjnë në rrjetin e furnizimit me ujë”, tha ai.

Por ndërsa ujësjellësi në Durrës u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim, lavazhi në dyert e drejtorisë, tregon se si uji i qytetarëve të etur, shpenzohet për larjen e automjeteve  të  punëtorëve të ujësjellësit.

Në një situatë të tillë skandaloze, me pasoja të rënda në ekonominë e familjeve dhe në turizëm, banorët dhe pronarët e bizneseve kërkojnë që drejtuesit e ujësjellësit të japin dorëheqjen për keqmenaxhim të situatës, ndërsa policia e prokuroria të nisin hetimet për personat përgjegjës të keqmenaxhimit të ujit.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: