Në rajonin autonom të Kinës, Hong Kong, mijëra persona kanë dalë nëpër rrugë me kërkesat për reforma demokratike dhe hetimin e përdorimit të forcës kundër protestuesve.

Mijëra protestues kanë marshuar drejt rajonit Kowloon të Portit Victoria, në mesin e të cilëve krahas të rinjve me veshje të zeza dhe maska kanë tërhequr vëmendjen edhe pjesëmarrësit me fëmijët e tyre.

Lily Chau e cila ka ardhur në protestë me foshnjën e saj tha se “Nëse ne nuk dalim jashtë qeveria do të thotë se kjo është vetëm një çështje e të rinjve, por kjo është një çështje e Hong Kongut që ndikon ndaj të gjithëve. Nëse kemi frikë qeveria do të vazhdojë të na shkelë të drejtat tona”.

Shumë protestues me një dorë të ngritur lart për të vënë në dukje kërkesat për demokraci kanë brohoritur me sloganet “Pesë kërkesa, jo më pak” dhe “Shpërnda forcën policore”.

Forcat e rendit publik me detyrë në protesta përdorën gaz lotsjellës në disa rajone ku dhe protestuesit qëlluan me gurë policinë.

Edhe në orët e mëngjesit një grup prej 200 personash me balona të verdhë protestuan kundër përdorimit të gazit lotsjellës nga policia duke marshuar deri në sheshin Edinburgh pranë ndërtesave të qeverisë.

Ndërkohë që edhe një grup tjetër me veshje të zeza dhe maska u mblodhën përpara konsullatës së SHBA-së me flamuj amerikanë në duar. Në mesin e këtyre tërhoqi vëmendjen se disa protestues mbanin në dorë pankarta me mbishkrimet “Presidenti (Donald) Trump, ju lutemi çlironi Hong Kongun”, “Bëjeni Hong Kongun sërish të madh”.

– Vala e dhunës në protestat e zhvilluara në Hong Kong

Në protestat pro-demokratike në Hong Kong që po zhvillohen nga qershori e deri më tani kundër projektiligjit për ekstradimet në Kinë, në javët e fundit janë rritur përleshjet dhe ngjarjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Pavarësisht se më 23 tetor projektiligji u tërhoq zyrtarisht, protestuesit vendosën të vazhdojnë protestat e tyre me kërkesat për “reforma demokratike”.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga qershori deri më tani në Hong Kong janë arrestuar rreth 5.000 protestues.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb