Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë i shkallës Rihter që goditi Guatemalën perëndimore të mërkurën herët shkaktoi dëme duke prekur rreth 25,000 njerëz, thanë autoritetet.

Epiqendra e tërmetit, i cili goditi në një thellësi prej 84 kilometrash (52 milje), ishte në rrethin bregdetar të Escuintla, më pak se 100 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, Guatemala City.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se ishte 6.2 ballë, megjithëse autoritetet e Guatemalës vlerësuan se ishte më i fortë, në 6.8, i ndjekur nga një pasgoditje prej 4.8 ballë.

Tërmeti shkaktoi rrëshqitje dheu në rrugë, dëmtime në shtëpi dhe ndërprerje të energjisë elektrike duke prekur rreth 24,800 njerëz, sipas shërbimeve të shpëtimit.

Një grua 50-vjeçare vdiq nga një atak në zemër në një fshat në perëndim të kryeqytetit, të cilin zyrtarët e lidhën me tërmetin pa specifikuar se si.

Lëkundjet u ndjenë deri në El Salvador në juglindje të Guatemalës dhe në jug të Meksikës.

Zjarrfikësit raportuan gjithashtu një rrëshqitje dheu në rrugën nga kryeqyteti për në Antigua, qyteti kryesor turistik i Guatemalës.

Vendi i Amerikës Qendrore, i vendosur në pikën e takimit të tre pllakave tektonike, është në një zonë rreziku për tërmete.

Vitin e kaluar, më shumë se 125 tërmete u regjistruan në Guatemalë pa asnjë vdekje apo dëme të konsiderueshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb