Mijëra trupa po marrin pjesë në tre stërvitje të mëdha të NATO-s në Poloni dhe në vendet baltike, me bllokun ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se lojërat e luftës nuk kanë për qëllim provokimin e Rusisë, por përmirësimin e bashkëpunimit midis aleatëve.

Stërvitja “Sabre Strike” dyjavëshe nisi të dielën, duke mbledhur 18,000 ushtarë nga 19 vende, me trupa të vendosur në Poloni dhe në shtetet baltike.

Stërvitja inskenon një mbrojtje ushtarake të krahut lindor të NATO-s si dhe për operacione përgjatë lumenjve dhe urave.

“Sabre Strike 18 nuk është provokim i Rusisë, por një stërvitje me aleatët tanë,” tha Ushtria Amerikane. Stërvitjet u “projektuan për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprimin midis aleatëve dhe partnerëve rajonalë … demonstrojnë vendosmërinë dhe aftësinë e aleancës për të vepruar në përgjigje të çdo agresioni”.

Dhjetë shtete anëtare të NATO-s, përfshirë Britaninë e Madhe, Italinë, Poloninë dhe Portugalinë, po marrin pjesë gjithashtu në stërvitjet vjetore “Swift Response”, të kryesuar nga Komanda Evropiane e SHBA që nga java e kaluar. Ushtrimi, i organizuar në të gjithë Gjermaninë, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, ka në përbërje për herë të parë edhe trupat e Izraelit, vend që nuk është anëtar i NATO-s.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: