Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i kërkoi sot Azerbajxhanit dhe separatistëve armenë në konflikt në Nagorni-Karabah t’i japin fund dhunës dhe të rifillojnë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur.

“Dy palët duhet t’i japin fund dhunës dhe të punojnë me grupin e Minskut (…) për rifillimin e negociatave thelbësore sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi kreu i diplomacisë amerikane, në ditën e dytë të vizitës në Greqi.

Disa drejtues të huaj, përfshirë dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel kërkuan një armëpushim të menjëhershëm dhe Këshilli i Sigurimit të OKB do të mblidhet në një takim urgjent sot në mbrëmje, në përpjekje për të shmangur një luftë të hapur mes Erevanit dhe Bakusë, që rrezikon të destabilizojë rajonin.

Që prej të dielës, forcat e enklavës separatiste, mbështetur politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht nga Armenia, dhe ato të Azerbajxhanit janë përballur në luftimet më të përgjakshme që prej 2016.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb