Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari, ishte i ftuari i radhës në emisionin “Kjo Javë” drejtuar nga gazetarja Nisida Tufa.

Gjatë Intervistës, Hajdari u ndal tek tensionet e ndodhura në zyrat e FRD, ku sipas tij u përfshinë dy institucione, presidenca dhe bashkia.

Sipas ish-prokurorit përplasjet duhet të shmangeshin.

Ai gjithashtu foli edhe për dorëheqjen e ish-presidentit të Bamir Topi nga Partia Fryma e Re Demokratike. Hajdari theksoi se dorëheqja e tij ishte e një niveli të lartë intelektual dhe njerëzor, gjithashtu shtoi se zoti Topi mund të rikthehet sërish në politikën aktive nëse gjërat janë më të qeta.

Hajdari u ndal edhe për zgjedhjet e 25 prillit.

Hajdari e cilësoi si njollë të zezë në këto zgjedhje mos përmbushjen e votës së emigrantëve. Gjithashtu ai foli dhe për përfshirjen e krimit në këtë fushatë.

Sipas Hajdarit, partitë nuk duhet të kapen pas krimit për të siguruar vota, pasi nëse kjo gjë verifikohet do të hetohet nga SPAK dhe gjithsecili sipas tij do të marrë dënimin e merituar.

I pamë zhvillimet në zyrat e FRD, si ju duk kjo situatë?

Shkëlqim Hajdari: Një ngjarje që kanë folur pafund mediat, nuk mu duk pozitive, sepse u përfshinë dy institucione, bashkia dhe presidenca. Mirë do të ishte të shmangej, por nuk u shmang. Më pas u kthye në objekt politik. I vetmi që nuk ka folur për këtë është ish-presidenti Topi.

Si e komentoni dorëheqjen e tij?

Shkëlqim Hajdari: Dorëheqja e zotit Topi është një dorëheqje e një njeriu të emancipuar, qytetar, intelektual, një politikan që nuk bërtet dhe që ka dhënë dorëheqjen me një fjali. Me atë fjali që ka thënë do jap dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme ka thënë shumë. Ai s’ka dashur të bëhet pjesë e kësaj beteje politike, por të tjerë kanë dashur ta bëjnë pjesë. Kur të flasë zoti Topi qytetarët do e kuptojnë që ai ka qenë në një komunikim intelektual, që të tjerët e ndanë në ndarje mollësh dhe dardhash.

Përfundon këtu jeta politike e Topit?

Ka shumë politikanë që janë më të mëdhenj në moshë se zoti Topi. Nëse do të ketë qetësi, zoti Topi dhe intelektualë të tjerë mund të përfshihen sërish në politikën aktive.

Do të kontestohen zgjedhjet e 25 prillit?

Shkëlqim Hajdari: Unë dëshiroj që zgjedhjet të mos kontestohen. Por duke mos arritur dot që komisionet e numërimit ti kemi apolitike, të mos kemi votim elektronik, kontestimi do të jetë pjesë e partive humbëse. Ne shkojmë në këto zgjedhje me një rekord negativ, nuk i mundësuam shqiptarëve jashtë shtetit për të votuar. Kjo është njolla që shkojmë në këto zgjedhje. Pas zgjedhjeve, këto gjëra që thash, këto duhet të jenë prioritet i njerëzve menjëherë pas këtyre zgjedhjeve. Ndihem i gëzuar që është pjesë e partive politike, zoti Lavdërim Krashi që kandidat në Dibër, unë e njoh dhe kam bindje absolute që ky, nëse do të shkojë në parlament do të jetë një zë i fortë. Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të jenë në listën zgjedhjeve. Shqiptarët do të bëjnë të mundur ti japin peshë votës dhe të qarkullojnë elitat në Shqipëri.

Politika ka punën e saj dhe krimi ka punën e saj, kohët e fundit kemi një sërë ngjarjesh, vrasje plagosje, si mendoni që do të jetë procesi zgjedhor?

Shkëlqim Hajdari: Krimi ka shoqëruar sa herë kemi pasur zgjedhje krimi ka tentuar të afrohet me segmente të caktuara të politikës. Por këtë radhë njerëzit janë bëre të përgjegjshëm sepse kush do të identifikohet, ka media në terren, organizata ndërkombëtare, çdo krim elektoral do të hetohet nga SPAK-u, ku në bazë të provave s’do të shpëtojë njeri. Subjektet politike të besojnë tek elektorati i tyre dhe të mos konsiderojnë votat që vijnë nga krimi, sepse në vend që të hanë një gjellë të shijshme do të hanë një gjellë e nga e cila do të vuash më pas gjithë jetën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb