TIRANË

Këtë të enjte, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, zhvilloi një konferencë të përbashkët me Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Mustafa Sentop. Gjatë fjalës së tij Ruçi nënvizoi marrëdhëniet e mira të dy popujve, e cila është konfirmuar sipas tij me kontributet që shteti turk ka dhënë në Shqipëri.

Kryeparlamentari theksoi se të dy popujt do të përpiqen intesivisht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë hap si objektivin e tyre të përbashkët.

“I shpreh falenderim për ndihmën e madhe që ky vend (Turqia) i dha  Shqipërisë në kohë të vështira dhe këtë kohë pandemie. Ndihmat e veçanta në infrastrukturën e shëndetësisë, apo ndërtimi i spitalit të Fierit brenda tre muajve janë treguesit konkret që shteti turk na ka dhënë. Të dy popujt kanë një fjalë të urtë popullore: Miku i mirë njihet ditë të vështira. Ky bashkëpunim i jonë provon më së miri këtë kujtesë popullore. Presidentit Sentop i bëra të ditur se Shqipëria vlerëson partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet shumë të mira me Tiranën dhe anasjelltas të Tiranës me Turqisë. Në shërbim të fqinjësisë, sovranitetit, të paqes, përparimit në rajon dhe më gjerë.

Pasi unë mendoj se askush nuk dëmtohet nga miqësia dhe dashuria midis popujve, përkundrazi, të gjithë fitojnë. Bashkërisht vlerësuam vizitën e kryeministrit Rama me presidentin Erdogan në janar të këtij viti. Sigurisht përshëndetëm nënshkrimin e deklaratës së përbashkët politike. Deklaratë kjo që i ngre marrëdhëniet tona dypalëshe në një partneriteti strategjik. Siç dihet Turqia dhe Shqipëria janë partner të vlerësuar në NATO dhe po punojnë intesivisht për të arritur objektivin e përbashkët kombëtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Integrimi evropian është busulla jonë dhe objektivi ynë. Shumë kompani turke kanë investuar afërsisht 3.6 miliardë dollarë në Shqipëri. Ne ramë dakord që të vazhdojmë mbështetjen e këtyre kompanive për investime të mëtejshme në Shqipëri”, tha Ruçi.

Sakaq, kryeparlamentari Ruçi tha se Shqipëria ka përshëndetur marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e çështjeve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përshëndetëm sigurisht edhe marrëveshjen e nënshkruar pak muaj më parë në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e çështjeve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Thelbësore për ecjen përpara e Kosovës dhe Serbisë është një zgjedhje gjithëpërfshirëse, e cila do të dërgojë në ruajtjen e stabilitetin dhe integritetin rajonal të të dyja vendeve. Vizita e kryetarit të Asamblesë së Madhe turke përkon direkt pas takimit të kryeministrit Rama në Turqi. Kjo konfirmon dhe njëherë marrëdhëniet shumë të mira mes dy popujve tanë”, përfundoi Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb