Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, doli sot në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE, Luigi Soreca, ku tha se të gjitha familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit do të strehohen.

Ministrja falënderoi ambasadorin Soreca për ndihmën e jashtëzakonshme që BE i ka ofruar Shqipërisë në këto ditë të tmerrshme, ndërsa solli në vëmendje shprehjen popullore se “miku i mirë duket në kohë të vështirë”.

“Miku i mirë në kohë të vështirë. Të parashikosh tërmete është përtej mundësive tona. Përmes jush dua të falënderoj gjithë vendet anëtare të BE, që na u gjendën pranë në kohë rekord, duke na ndihmuar në këto ditë tragjike.

Tërmeti i datës 26 ishte vërtet shumë i fortë dhe dëmet që shkaktoi janë të jashtëzakonshme, por do ia dalim që të ndërtojmë Durrësin e Thumanën. Ajo që na mundon të gjithëve janë jetët e humbura. Do duhet të kalojë shumë kohë para se plagët të shërohen, nëse do të mund të shërohen. E vetmja gjë që e bukur që të mbush zemrën e mendjen në këto ditë është solidariteti i jashtëzakonshëm që vërshoi për Shqipërinë nga shqiptarët, kosovarët, por edhe më gjerë. Do të kishim pasur më shumë jetë të humbur, nëse nuk do të merrnim ndihmën e menjëhershme. Ekspertët e huaj që luftuan për jetë në vendin tonë do të jenë mirënjohës përjetë.

Tani duhet të mendojmë shumë seriozisht për atë që vjen më pas. Ata mijëra qytetarë që janë strehuar sot kanë nevojë për shpresë, që kjo situatë nuk është e përhershme. Duhet t’iu tregojmë një plan me angazhime shumë të qarta se do të vijojmë t’i mbështesim në sfidën për rimëkëmbjen e ndërtesave. Në këtë sfidë ne nuk do të jemi vetëm”, tha Xhaçka.

Fjala e plote: 

Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të medias,
Së pari, dua t’ju falënderoj ju personalisht për gjithçka keni bërë gjatë këtyre ditëve. Ne kemi një shprehje: miku i mirë njihet në kohë të vështira.

Të parashikosh tërmete, të parashikosh çdo të të sjellë fati, është përtej mundësive e aftësive tona. Por ajo që ishte krejt e parashikueshme për mua, dhe për këdo që ka pasur rastin t’ju njohë nga afër e të punojë me ju dhe Delegacionin e BE, ishte që ju do të bënit çmos për t’i ndihmuar shqiptarët në kohën e tyre të tragjedisë dhe që ndihma juaj do të kishte një impakt shumë të madh.
Së dyti, përmes jush dua të falënderoj të gjithë vendet anëtare të BE, që na u gjendën në një kohë rekord, taksapaguesit evropianë për bujarinë dhe solidaritetin e tyre dhe mbi të gjitha ekspertët që na kanë ndihmuar aq shumë gjatë këtyre ditëve tragjike.

Vetëm ata që kanë kaluar nëpër një eksperiencë të tillë, mund ta kuptojnë sesa e rëndësishme është që në një kohë traumatike si kjo, kur e ke të pamundur t’i besosh edhe tokës mbi të cilën ecën, të mos ndihesh vetëm. Ta dish, që nuk je i detyruar të përballesh i vetëm me furinë e natyrës, por mund të mbështetesh tek solidariteti i miqve e partnerëve ndërkombëtarë.

Aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, tregoi edhe njëherë, ashtu si dy vjet më parë gjatë përmbytjeve që prekën Vlorën, Fierin apo Shkodrën, apo si dy muaj më parë pas tërmetit që goditi vendin më 21 Shtator, që Shqipëria nuk është vetëm. Përkundrazi, ka miq, aleatë e partnerë që nxituan të sillnin ekipe e tyre më të specializuara për kërkim shpëtim, ekspertë të vlerësimit të dëmeve apo qindra ton ndihma që janë shpërndarë dhe shpërndahen sot në zonat e dëmtuara, duke lehtësuar dhimbjen dhe traumën e jahstëzakonshme.

Tërmeti i datës 26 ishte vërtet shumë i fortë dhe dëmet që shkaktoi të jashtëzakonshme. Patjetër edhe sfida e përballimit të këtyre dëmeve do të jetë vërtet e vështirë.
Por sado e vështirë që të jetë, sado punë të duhet, jam e bindur që së bashku do t’ia dalim. Jam e bindur që do t’ia dalim që të rindërtojmë Durrësin e Thumanën, çdo banesë e ndërtesë të shembur e dëmtuar.
Ajo që më mundon vërtet, që na mundon të gjithëve, janë jetët e humbura. Është një nga ato fakte, që mendja e shpirti e kanë të vështirë ta pranojnë e ta kuptojnë. Do të duhet të kalojë kohë përpara se plagët të shërohen.

Bëmë gjithçka që mund të bënim për të ndihmuar këdo që kishte nevojë për ndihmë. Për të shpëtuar jetë. Reaguam me shpejtësi që në minutat e para dhe efektivët e FA, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit mbërritën në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër në zonat më të prekura për të ndihmuar çdo banor në nevojë. Duke lënë në shtëpitë e tyre familjet e tyre për tu ardhur në ndihmë të gjithë banorëve në zonat e prekura.

E kam thënë dhe e kam përsëritur disa herë e besoj që do ta përsëris gjatë gjithë jetës. Mes zisë e dhimbjes së ditëve që pasuan tërmetin e 26 nëntorit, e vetmja gjë e bukur që të mbushte zemrën e mendjen me shpresë e besim, ishte solidariteti i jashtëzakonshëm që vërshoi nga shqiptarët për njëri tjetrin, qofshin këta në Shqipëri, Kosovë apo kudo tjetër, dhe nga miqtë e partnerët tanë në BE dhe jo vetëm.

Një ngjarje të atyre përmasave do të kishte qenë e vështirë për t’u përballuar për çdo vend, sado i fortë dhe i zhvilluar qoftë. Dhe do të kishim pasur më shumë jetë të humbura, po të mos kishte qenë për ndihmën e menjëhershme që morëm, me ekspertë që punuan me aq heroizëm e përkushtim në kushte aq të rrezikshme, për të shpëtuar jetë.

Të 780 ekspertët nga 14 vende që luftuan aq shumë për shqiptarët, do të kenë përjetë mirënjohjen tonë.
Por unë besoj që pjesa më e vështirë e kësaj situate fillon tani. Sepse dëmet materiale janë vërtet të mëdha. Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, po vazhdon vlerësimin teknik të ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara. Por këto shifra janë paraprake, sidomos për Durrësin ku deri dje të gjitha energjitë ishin përqendruar në operacionet e kërkim shpëtimit. E megjithatë edhe këto shifra paraprake flasin për përmasat apokaliptike të dëmtimeve.

Tani kur faza e kërkim shpëtimit ka mbaruar. Kur faza e sistemimit të banorëve dhe vlerësimit të riskut ka marrë rrugë e po merr zgjidhje, na duhet të mendojmë shumë seriozisht sëbashku për atë që vjen më pas. Ata mijëra qytetarë që sot janë strehuar apo kanë filluar të strehohen në struktura hoteliere apo çadra, sot kanë nevojë për shpresë që kjo situatë nuk do të jetë e përhershme dhe nuk do të zgjasë pafundësisht.

Na duhet t’ju tregojmë dritën në fund të tunelit të dëshpërimit e ankthit që ka shkaktuar kjo tragjedi dhe e vetmja mënyrë për të bërë këtë është duke u treguar një plan të qartë dhe angazhime të qarta që qeveria shqiptare, BE, vendet anëtare kanë për të mbështetur në atë që vjen më pas, në sfidën për rimëkëmbjen e zonave të dëmtuara.

Unë jam shumë optimiste, nga mesazhet që kemi marrë, nga gatishmëria që na është komunikuar, e mbi të gjitha nga ndihmat që kanë ardhur ndërkaq dhe angazhimi i jashtëzakonshëm që kanë treguar vendet anëtare të BE, që ne nuk do të jemi vetëm në këtë sfidë. Dhe që të gjithë së bashku do të arrijmë ta tejkalojmë këtë sfidë të jashtëzakonshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: