Milan bën “vetëvrasje” në “San Siro”, del me një pikë përballë Cremonese-s duke zbritur nga zona Champions. “Djajtë” e Stefano Piolit vetëm të tillë nuk ishin në fushë, prodhuan një volum shumë të madh loje, por në asnjë rast nuk ishin të saktë në finalizim. Praktikisht loja u zhvillua me një sens, kuqezinjtë kishin 74% kontrollin e topin, krijuan 18 raste për gol, goditën 5 herë kuadratin, por në fund ishin me fat teksa goli barazimit erdhi vetëm në limite, në minutën e 93-të.

Sfida nisi me gol ku Saelemaekers u shkëput shpejt, arriti të dërgoj topin në rrjetë, por VAR anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. Milan nuk e uli për asnjë moment ritmin, duke flirtuar golin në më shumë se një rast, por në momentin më të mirë, Okereke pllakosi heshtjen në “San Siro” duke kaluar Cremonese në avantazh. Atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit, Messias shmangu humbjen nga goditja e dënimit. Me këtë barazim 1-1, Milan zbret në vendin e 6-të në kuotën 58 pikëve, po aq sa Atalanta dhe minus dy pikë nga Interi i vendit të katërt:

“Absolutisht jemi të zhgënjyer. Nuk e dëshironim këtë rezultat. Tani ka pak ndeshje në dispozicion, nëse nuk ndryshojmë marsh do ta kemi të vështirë ta mbyllim në katër vendet e para”, u shpreh Stefano Pioli pas ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: