Mesfushori i Milanit, Xhek Bonaventura, u ka dhënë fund hamendësimeve dhe ka vendosur të rinovojë, ndërkohë që ka ardhur OK edhe nga pronarët e ardhshëm nga Kina, që kanë dhënë aprovimin. Praktikisht, Bonaventura ka zgjatur qëndrimin me fanellën kuqezi deri në vitin 2020, duke dyfishuar pagën: nga 1 milion në 2 milionë euro neto.

Shifra të ulëta, po të krahasohen me disa kampionate, duke nisur nga ai anglez, por Bonaventura është i lidhur me Milanin dhe ka pritur me qetësi edhe kur gjithçka u bllokua, në verë, nga bisedimet me kinezët. Ndërkohë kampionët e Italisë, Juventusi do të zyrtarizojë afrimin e Tomas Rinkon, mesfushorit që shihet si pasardhësi i Andrea Pirlos.

28-vjeçari venezuelian vjen nga Xhenoa, ku luan prej vitit 2014, ndërsa më parë në Europë ka luajtur me Hamburgun në Bundesligë për pesë vite. Tashmë ai bën hapin e madh duke kaluar te Juventusi. Gjithçka është drejt përfundimit, teksa mesfushori është shfaqur në qendrën “J Medical” të bardhezinjve ku po kryen testet mjekësore.

Duket se ecuria mjaft e mirë e Interit javët e fundit ka bërë optimist presidentin. Pronari i ri i klubit zikaltër ka premtuar se do të shpenzojë shifra marramendëse në merkaton e verës së ardhshme. Drejtuesi i Suning ka folur rreth 150 mln eurove për të afruar vetëm tre lojtarë. Synimet janë Marko Verrati, Federiko Bernardeski dhe ëndrra e madhe mbetet Aleksis Sançez.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: