TRIESTE- E gjithë pasuria e një astrofizikanteje italiane i është lënë si trashëgimi një emigranteje shqiptare. Milionerja Margarita Hack, u ndaj nga jeta më 13 qershor të vitit 2013, ndërkohë që vetëm pas vdekjes së bashkëshortit të saj në shtatorin e vitit të kaluar shtëpia e çiftit dhe gjithë pasuria me një vlerë prej 500 mijë eurosh janë destinuar për kujdestaren shqiptare Tatjana Gjergo. Ndërkohë që pas leximit të testamentit të të moshuarit kanë nisur edhe aludimet e shumta në mediat italiane por edhe në zonën ku jetonin dy bashkëshortët për vërtetësinë e tij. Kjo për shkak se vetë astro-fizikinatja Hack kishte lënë dy testamente. Në të parin ajo ja linte gjithë pasurinë bashkëshortit të saj dhe një pjesë për shoqatat e kafshëve ndërsa në testamentin e dytë i linte një shumë prej rreth 100 mijë eurosh kujdestares shqiptare. Por në shtatorin e kaluar pas vdekjes edhe të bashkëshortit të saj Aldo De Rosa, u lexua testamenti ku thuhej se gjithë trashëgimia dhe shtëpia ku jetuan i kalojnë Gjergos. Vendimin e ndryshimit të trashëgimisë e bëri burri i Hack, i cili kishte firmosur një testament, në të cilin shkruhej e zeza mbi të bardhë se gjithë pasuria i kalonte në emër të shqiptares Tatjana Gjergo. “Dëshiroj që pas vdekjes time të gjithë të mirat materiale që zotëroj të kalojnë në emër të zonjës Tatjana Gjergo, e cila bëhet trashëgimtare e ligjshme e pasurisë”. Margarita Hack, 91 vjeçe, kishte specifikuar në testamentin e saj se pas vdekjes së saj dhe burrit, depozitat bankare që arrinin e në vlerën 500 mijë eurove si dhe shtëpia me vlerë mbi 100 mijë euro do të shkonin për pjesëtarët e familjes dhe shoqatat e mbrojtjes së kafshëve, por duket se burri i saj e ka ndryshuar, ndoshta sepse amaneti i gruas nuk ishte plotësuar si duhej. Mendohet se De Rosa e kishte shkruar testamentin 2 javë pas vdekjes së gruas së tij duke ja lënë të gjitha shqiptares që u kujdes për të dhe astro-fizikanten deri në momentet e fundit të jetës. Mediat italiane shkruajnë edhe për jetën e Tatjana Gjergos, e cila kishte shkuar në Itali në vitin 1991 me vajzën e vogël Eda që ishte vetëm një vjeç. “Në anijen që po kalonte mbi Adriatik, ishte një nënë e re, e cila sapo kishte humbur burrin që kishte vdekur papritur nga një infarkt. Tatjana kishte marrë me vete librat e saj të kimisë dhe matematikës, një dashuri e pafundme për shkencën dhe në krah një vajzë 1-vjeçare që nuk qante kurrë. Ajo vajzë më vonë u “adoptua” nga Margherita Hack dhe falë saj njohu dhe u dashurua pas astro-fizikës, duke u bërë edhe ajo një shkencëtare e yjeve. Nëna që prej atëherë deri në vdekjen e Aldo De Rosa, ndenji në Trieste në shtëpinë në “Rrugën Pratello”. Edhe ajo në një farë mënyre u adoptua nga Marge dhe Aldo: Dy gjyshër, një vajzë dhe një mbesë. Jo të lidhur nga gjenet por nga dashuria. Sot Tatjana mendohet se ka shkuar në Amerikë, atje ku rri vajza e saj Eda, e cila është tashmë një astro-fizikante”, shkruajnë mediat italiane.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb