Publicisti serb Miroslav Lazanski ka bërë një pohim “shokues”, pasi sipas tij, ish–kryetari i Serbisë dhe i akuzuari i Hagës për krime lufte në Kosovë, Sllobodan Millosheviç, “iu shit Gjykatës së Hagës për 10 milionë dollarë”.

Këtë informatë, e ka konfirmuar edhe avokati i njohur Toma Fila, i cili ka theksuar se njerëz nga Presidenca shumë herë i kanë thënë se ai nuk është dorëzuar më 28 qershor 2001, por është shitur.

Siç shkruan “Kurir”, Lazanski në debatin televiziv në “rts” me liderin e Partisë Liberale Demokratike të Serbisë Çedomir Jovanoviçin, ka thënë se “është krejtësisht e qartë se dikush ka marrë para për kokën e Millosheviçit”.

“E kanë shitur kryetarin Millosheviç! Ka ekzistuar çmimi 10 milionë dollarë. Kush i ka marrë ato para s’e di, por është e qartë se dikush i ka marrë, sepse po të mos i merrte do të bëhej i marrë. Milosheviçi është shitur kur e arriti çmimin më të lartë. Mu sikur është shitur Mlladiqi, mu sikur është shitur Karaxhiçi”, ka theksuar Lazanski, pa përmendur se tek kush dyshon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb