Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE –
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo shprehet për një rritje të rezultatit në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Milo shprehet se beson se duke filluar që nga muaji shtator do të fillojnë të zbatohen dy marrëveshjet që ka me PS-në, për pjesëmarrje në qeverisjen qendrore dhe atë vendore. Por, Milo shprehet edhe kritik me aleatët e tij, edhe pse thekson besnikërinë e PDS-së në koalicionin me Partinë Socialiste.
U bë tashmë një muaj që nga mbarimi i zgjedhjeve të 21 qershorit. A ka bërë Partia Demokracia Sociale një bilanc se si ka dalë prej tyre?
Ne menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore bëmë një analizë, duke thirrur në të të gjithë këshilltarët që dolën në emër të Demokracisë Sociale, por edhe kryesinë qendrore të partisë. Rezultati ynë në këto zgjedhje ishte mbi 20 mijë vota, që do të thotë, ishte mbi 8 mijë vota më shumë se dy vite më parë, dhe që rezultoi me 26 këshilltarë në këshillat bashkiakë të bashkive të reja të konstituuara. Ishte një rezultat i mirë në rrethanat e reja të krijuara, kur për herë të parë u zbatua ligji i ri për ndarjen administrative-territoriale. Si fillim kishte mjaft të panjohura, por edhe të papritura, megjithatë rezultati dëshmoi që Demokracia Sociale është tashmë një nga partitë e konsoliduara, jo vetëm të spektrit të majtë të politikës shqiptare, por edhe të asaj kombëtare. Rezultati do të ishte patjetër shumë i mirë në rastin kur do të kishte një korrigjim të Kodit Zgjedhor. Për fat të keq votat tona i numërojnë përfaqësues të partive të tjera politike dhe, duke qenë pa vëzhgues, ato bëhen shpesh objekt tregtie, manipulimi dhe vjedhjeje në tavolinë. Edhe këtë herë patëm informacione të shumta për mënyrën se si u trajtuan votat që elektorati shqiptar na dha neve në këto zgjedhje. Por akoma më i dëmshëm mbetet fenomeni negativ, tepër-tepër shqetësues i blerjes së votës, ku partitë e vogla e pa financa, ku hyn edhe Demokracia Sociale, jo vetëm që nuk bëhet pjesë e këtij manipulimi dhe vjedhjeje të legalizuar të votës së qytetarëve, por edhe sikur të donte ta bënte, nuk e ka atë mundësi, sepse mungojnë burimet. Por para së gjithash i mungon dëshira për të vjedhur vullnetin e qytetarëve. Këto fenomene shqetësuese, që nuk janë të panjohura në Shqipëri për fat të keq, deri sot nuk po i trazojnë mendjet e partive të mëdha politike, sepse me sa duket, atyre u pëlqen që të ekzistojnë rrethanat dhe një klimë e tillë elektorale se e kanë më të lehtë për të manipuluar votat e shqiptarëve. Ky është një fenomen që unë e ngre jo për herë të parë, por që për fat të keq kam ndeshur në vesh të shurdhët deri tani. Me sa duket, politika shqiptare është ende larg për të qenë evropiane dhe aq më keq ku një politikë e tillë pretendon se mund ta çojë Shqipërinë në Evropë.
Këtë herë akuzoni vetëm dy partitë e mëdha apo edhe LSI-në?
Të gjitha ato parti që kanë vota dhe mund të bëjnë ndryshime në Kodin Zgjedhor janë shkaktare, por edhe përgjegjëse për mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri.
Përveçse publikisht, a e keni ngritur këtë shqetësim në ndonjë takim apo telefonatë me zotin Rama, zotin Meta?
Unë e kam ngritur publikisht dhe për sa kohë që këto kanë qenë objekt debatesh publike, nuk ka nevojë pse të adresohen edhe në biseda të karakterit personal. Ato janë çështje parimore, për të cilat jo vetëm ne, por edhe institucionet ndërkombëtare vazhdimisht kanë tërhequr vëmendjen. A nuk ju bën përshtypje fakti që edhe nisma që u bë me shumë zhurmë para tri viteve për numërimin elektronik të votave të qytetarëve shqiptarë humbi si kripa në ujë?! Përse një masë e tillë, kaq e domosdoshme në Shqipëri, nuk përmendet më dhe askush nuk kujtohet për ta rinisur këtë proces? Është shumë e thjeshtë! Sepse nëse bëhet numërimi elektronik, atëherë nuk ka hapësirë për të vjedhur vota në tavolinë.
Koalicioni i majtë i fitoi zgjedhjet, por në një analizë më të detajuar, cila nga partitë doli më fituese nga këto zgjedhje? Më shumë PS, LSI…?
Në shifra mund të thuhet që fituan disa parti, ndërkohë që në numër këshilltarësh dhe kryetarë bashkish fituan, pa dyshim, partitë e mëdha të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Partia Socialiste mori më pak vota në pikëpamje të numrit për këshilltarë, por doli partia më e fituar, për shkak të numrit të vendeve që mori për kryetarët e bashkive. LSI-ja shtoi rreth 80 mijë vota të tjera dhe e renditi atë si partia e dytë më e konsoliduar e krahut të majtë, me një përqindje shumë më të madhe pushteti në bashki, por në mënyrë të veçantë në këshillat bashkiakë. Sa u përket partive të tjera të radhitura në bllokun e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, ka një pragmatizëm të theksuar në këto zgjedhje. Ndër partitë kryesore për herë të parë u futën në koalicion edhe FRD-ja, që ka një profil të djathtë, dhe PDIU-ja, e cila nuk dihet se çfarë profili politik ka, sepse në atë parti vazhdimisht më tepër ka një pragmatizëm për të mbrojtur çështjen çame sesa ka një bosht politiko-programor në raport me koalicionet si grupime politike në Shqipëri. Ndërkohë që, partitë e tjera në ASHE ftohen në më të shumtën e rasteve për të mbushur thesin e votave të aleancës dhe për të ndihmuar partitë e mëdha në garën që bëjnë, qoftë për të fituar kryetarë bashkie, qoftë për të fituar sa më shumë këshilltarë.
Në Bashkinë e Tiranës kemi një hyrje edhe të FRD-së me nënkryetar bashkiak dhe të PDIU-së me nënkryetaren e Këshillit Bashkiak. Është e merituar kjo?
Në përputhje me numrin e votave që kanë marrë në Bashkinë e Tiranës, unë mendoj se është kryer një veprim i drejtë, sepse janë vlerësuar kontributet e tyre. Edhe mbi bazën e premtimeve për bashkëqeverisje, më duket se po ecet atje ku duhet.
Ju keni një marrëveshje me zotin Rama para zgjedhjeve. Do t’ju shohim në qeverisje në shtator, ndoshta?
Në radhë të parë, ne duhet të zbatojmë marrëveshjet e vjetra dhe të reja, sepse tani u bënë dy palë marrëveshje, ajo e vitit 2013 dhe marrëveshja parazgjedhore e 2015-ës. U bënë dy marrëveshje të pazbatuara dhe unë shpresoj dhe uroj që të dyja këto së bashku të mund të fillojnë të zbatohen në shtator, pra, të paktën në gjysmën e dytë të mandatit 4-vjeçar të qeverisjes. Ne jemi pjesë e Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Kemi kontribuar për fitoren e saj. Partia Demokracia Sociale nuk ka bërë asnjëherë pazar. Kemi qenë gjithmonë besnikë të aleatëve dhe aleancave tona. Mjaft parti në Shqipëri, në këto 25 vite kanë lëvizur nga e majta në të djathtë dhe nga e djathta në të majtë, duke shkelur programet e tyre, duke tjetërsuar identitetet e tyre, thjesht për hir të karrigeve të pushtetit, ndërkohë që PDS-ja nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj programor dhe nga aleanca në të cilën është vendosur që kur është krijuar. Asaj nuk i kanë munguar ftesat për ta kaluar ylberin politik, por nuk e ka bërë asnjëherë. Kjo, jo se nuk e ka dashur pushtetin, por ka respektuar vetveten, programin, por edhe aleancat e shëndetshme, jo mbi baza korruptive, jo mbi baza përfitimesh personale. Pikërisht vlera të tilla, sot, për fat të keq, çmohen pak.
A mund të flasim për ndonjë gjë konkrete për momentin, për poste?
Ne nuk kemi ndonjë gjë konkrete përveç premtimeve të parazgjedhjeve vendore. Kështu që, nuk jemi as kaq egoistë sa të kërkojmë gjëra që nuk na takojnë, por jemi kaq parimorë dhe të vendosur që të vazhdojmë të kërkojmë ato gjëra që na janë premtuar dhe që na takojnë. Nuk besoj që PS-ja të bëjë për herë të dytë të njëjtin gabim që ka bërë para disa muajsh, që të premton në prag të fushatave zgjedhore dhe harron pasi fiton pushtetin qoftë edhe me kontributet tona. Këtë herë do të ishte e tepërt ta bënin për herë të dytë, sepse mendoj se një fjalë që kam përdorur kur nisëm negociatat për zgjedhjet vendore që deri në atë kohë e kishin (më fal për shprehjen) dhjerë, në marrëdhëniet me ne, frazë kjo që e kam përdorur në takimin zyrtar, nuk besoj që ta (më fal) dhjesin për herë të dytë. Sepse bëhet diarre dhe po të zuri diarreja, ajo vazhdon pastaj pambarimisht. Kështu që shpresojmë, duke filluar nga muaji shtator, që me vullnet dhe me mendje të kthjellët, pa na mashtruar e pa na gënjyer, siç ka ndodhur gjatë këtyre dy viteve që kanë kaluar, të mund të ulemi e të konkretizojmë ato marrëveshje parazgjedhore që janë nënshkruar e biseduar.
Ju keni një përvojë të gjatë qeverisëse. Si ju duket se po qeveris ky kabinet?
Të flasësh për punën e qeverive nga jashtë nuk është e thjeshtë, sepse mbi të gjitha mungon një informacion i detajuar dhe konkret për të gjykuar. Por, pa dashur të bëhem zëdhënës i politikave publike socialiste, mund të them se në përgjithësi qeveria e Partisë Socialiste ka vepruar si një repart ushtarak që ka një komandant, të cilit nuk i bëhet fjala dysh dhe që nuk guxon askush që t’i bëjë qoftë edhe vërejtjen më të vogël. Pra kemi të bëjmë me një qeveri që dominohet nga kryeministri, që është ai bartësi i mendimeve, i politikave, ndërkohë që të tjerët janë zbatues ose, siç i pëlqen auditorit social t’i quajë, anëtarë të skuadrës që zbaton detyrat e caktuara politike saktësisht të kapitenit të ekipit. Pra, nuk ka individualitet, ose ka pak prej tyre që shquhen apo bëjnë punë krijuese. Unë mendoj se qeverisja duhet të jetë jo një ekip që ka një disiplinë të hekurt për të zbatuar vendimet, urdhrat, por duhet të jetë një ansambël, ku çdo ministër në punën e tij, në dikasterin e tij të mund të krijojë, të sjellë risi, të vendosë vulën e personalitetit dhe të profesionalizmit të tij të lartë. Pra, dikasteret nuk duan thjesht menaxherë të punëve të rëndomta të ditës apo kujdestarë për të zbatuar vendimet dhe platformën qeverisëse, por duhet që të jenë krijues, vizionarë në fushat që mbulojnë. Nuk mundet që për çdo gjë të vendosë kryeministri dhe as që mundet që ai t’i përcaktojë çdo ministri detajet dhe rrugëtimin konkret të qeverisjes në ministri të caktuara. Është e pamundur nga pikëpamja e kapaciteteve mendore, por edhe fizike. Këtu duhej që të kishin hyrë dhe të hyjnë në veprim individualitetet politike dhe profesionale që përbëjnë qeverinë. Sepse nuk varet çdo gjë nga kryeministri. Ai jep direktivën dhe çdo ministër duhet të ketë aftësinë ta zbërthejë atë, ta thellojë dhe ta zgjerojë çdo direktivë, me qëllim që populli të shikojë tek ata jo një përzgjedhje rastësore, mbi bazën e një meritokracie politike apo zgjedhore apo mbi bazën e raporteve me kryetarin e partisë, por të shikojë personalitete me vizion të gjerë qeverisës, me kulturë dhe profesionalizëm të lartë. Unë mendoj që në këtë drejtim ka shumë për të bërë, jo thjesht qeveria aktuale, por në përgjithësi çdo qeveri në Shqipëri. Shqipëria meriton të qeveriset shumë më mirë dhe nga një elitë që nuk duhet të jetë vetëm me prejardhje politike të mirëfilltë, por edhe nga një elitë ose burokraci e përgatitur për t’u dhënë rrugëzgjidhje problemeve të shumta që ka sot Shqipëria.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: