TIRANENë një kohë kur kreu i Kuvendit pritet të mbledhë sot Konferecën e Kryetarëve për nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri, kanë ardhur edhe kandidaturat e para për këtë post. E ftuar në emisionin ‘Natë më Xhaxhiun’ në ‘News24’, nëse do pranonte postin për kreun e shtetit, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka thënë se është e gatshme dhe e nderuar të pranonte këtë post.
INTERVISTA
Deri tani keni qenë e sinqert por do të doja që me këtë përgjigje të ishit dyfish e sinqertë. Pse keni vendosur mos të jeni më ministre e Mbrojtjes? A keni një arsye personale?
Jo unë nuk kam thënë, unë kam shprehur një dëshirë. Vendimmarrja është e strukturave, e atij që do të bëhet nesër kryeministër.

Atëherë cila është arsyeja që ke për të mos ta rimbajtur këtë sërish këtë post?
I mbetem parimeve të mia. Bëj diçka, dua të bëj diçka të re, që të kem rishtaz entuziasmin e fillimit.

Që do të thotë nëse ju propozojnë, regjia po më ngacmon tani…. Pra po thonim që nëse ju fitoni dhe ju propozojnë një post të ri, nuk do ti thoni jo partisë, këtë ishit duke thënë?
Jo, nuk do ti them jo.

Cili do të ishte? Ku e shikoni veten më afër një posti? Jam shumë kurioz.
Nuk di të them sot. Unë përgjithësisht nuk para vë target. Kështu që disa gjëra i marr ashtu siç vijnë

Gojët e liga thanë para disa javësh për një propozim që ju erdhi për kreun e shtetit. Ishte e vërtetë apo ishin thashetheme?
Jo nuk më ka ardhur asnjë propozim. Kështu që edhe gojët e mira edhe gojët e liga kanë të drejtën e tyre për të

Nuk besoj se do t’i thonit jo nëse partia do jua vinte si detyrë?
Do të isha shumë e nderuar. Besoj që fakti që ju e përmendni, në fakt ma përkëdhel sedrën por ndërkohë ju siguroj që jam plotësisht e bindur që në këtë vend ka shumë burra dhe gra të zotë dhe të ndershëm për ta bërë.

Ju nuk jeni një nga ato gratë e zotave të ndershëm për ta bërë?
Të ndershme po.

Të zonja jo?
Unë nuk e di, por të ndershme po.


Ndërkohë kryeministri Rama tha dje gjatë një interviste se nuk do të bëjë asnjë lëvizje në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri pa u këshilluar më parë me aleatin e tij në koalicion, Ilir Metën.

Gjatë ditës së djeshme Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta mbi përcaktimin e kalendarit për zgjedhjen e presidentit të ri. Mandati i Bujar Nishanit mbaron më 24 korrik.

Gjithashtu edhe Drejtori i Shërbimit Juridik të Kuvendit Alban Brati i dërgoi një memo Metës ku e njofton për procedurat dhe afatet e zgjedhjes së Presidentit të Republikës një ditë para afatit të nisjes së procedurave.

Në letër thuhej se mandati i presidentit Bujar Nishani mbaron më 24 korrik 2017 ndërsa procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, fillojnë jo më herët se 13 prilli 2017. Ndërkohë që ligji parashikon edhe procedurat në rastin e mbarimit të mandatit të Kuvendit aktual, i cili përfundon më 9 shtator të këtij viti.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: