Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e ftuar nërubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për përgjimet ndaj Vangjush Dakos, tha se fenomeni që diskutohet ka 30 vjet në Shqipëri. Kodheli shtoi se e njeh mirë politikën shqiptare dhe aty nuk ka puritanë.

“Këta njerëz që përfaqësojnë shqiptarët në parlament dalin nga kjo shoqëri. Ka pasur probleme dhe duhet të ndryshohet sistemi. Zgjidhja vjen përmes emancipimit të shoqërisë. Këtë sistem nuk e kemi vetëm ne, nuk e kemi shpikur vetëm ne. Me sistemin e kaluar e çuam Shqipërinë deri në luftë civile më 1997. Politika duhet të vihet në presion që të ndryshojë. Ka ekspertë, ka akademikë, ka shoqëri, e cila nëse nuk është e kënaqur, mos të votojë.

Problemi nuk është sistemi se është i marrë nga tjetërkund, por në Shqipëri me çdo lloj sistemi, politika ka gjetur mënyra abuzime. Në politikën shqiptare nuk ka puritanë. Dhe këtë e them unë që nuk kam vjedhur. Ne jemi këtu për të ndryshuar sistemin, për mirë. Ne duam dialog me opozitën për një Shqipëri më të mirë. Asgjë nuk është e pamundur dhe këtë e thotë Shekspiri dhe unë vazhdoj ta besoj këtë gjë”, tha ajo.

Mimi Kodheli vlerësoi se marrëveshja e e 2017 ishte një risi për politikën shqiptare. Ajo tha se nëse PD do të ishte në pushtet, nuk do të kishte lëshuar e s’do kishte asnjë lloj marrëveshje.

“Marrëveshja e 2017 ishte një risi në politikën shqiptare. Nëse PD do të ishte në pushtet, nuk do ta kishte bërë, aspak. Për zgjedhjet e vitit 2017, nuk kishte kontestime. Sado që të vidhen votat, prapë nuk ndryshohet situata në vota. Në Kukës kam qenë dhe as edhe një njeriu një kafe nuk ia kam dhënë. Kudo ka pozitivitet ndaj qeverisë. Në Kukës, qark thellësisht i djathtë, jemi 9000 vota më tepër”, deklaroi Kodheli.

E pyetur se si mundet që të mbahen zgjedhje moniste dhe a mund të thuhet se është situata njësoj si më 1996, Mimi Kodheli theksoi: “Nuk është vetëm PS në zgjedhje, është edhe Bindja Demokratike. Nuk mund të krahasohet situata me vitin 1996, sepse atëherë militantët e Partisë Socialiste janë rrahur. Ata që kanë dhunuar dikur po dhunojnë prapë. Kjo sepse me dhunë e kanë arritur pushtetin”.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb