Nga: ENIDA HIMAJ*
Për Mimozën është e pamundur të dalë nga konturet e një politikaneje. Deputetja e Tropojës tregon se jo gjithnjë ka një punë të lehtë, pasi i është dashur të përballet me paragjykime dhe keqkuptime nga meshkujt e politikës, por koha ka treguar se ia ka dalë. Deputetja e selisë blu, është ndër të vetmet politikane që nuk rresht së promovuari zonën e Tropojës. Në intervistën dhënë për “Summer Pages”, ajo shprehet gjithë adhurim për bukuritë që natyra i ka falur kësaj zone. Kur misioni i saj me politikën merr fund, Mimoza është si çdo grua tjetër, e dhënë pas familjes dhe fëmijëve. Në fund nuk lë pa përmendur se fëmijët e saj janë, pa dyshim, kritikët më të mëdhenj që ka…
Një sezon i ngjeshur për Mimozën; si e keni parë ju?
Kjo është politika, ky është parlamenti, me axhendë të ngjeshur, dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për opozitën, Partinë Demokratike, e cila gjithmonë ka kauzë të saj interesat e shqiptarëve dhe daljen nga kriza. Axhendën e një deputeti e bën të ngjeshur edhe puna me bazën, zonën e tij elektorale, dhe unë që e kam në një distancë më të largët Tropojën, e kam dhe më të vështirë. Gjithsesi mendoj se çdo sfidë është e përballueshme, kur bëhet fjalë për interesa madhore, sikurse kemi aktualisht debatin për Reformën në Drejtësi.
Sa kohë ju ka marrë politika, a ju shoqëron edhe kur “zhvishni” kostumin e politikanes?
Me thënë të drejtën, unë “kostumin e politikanes” e kam gjithmonë të veshur në mendje dhe në zemër, sepse e kam pasur gjithmonë pasion dhe vullnet. Në një farë mënyre unë rininë dhe pjekurinë time si femër e kam kaluar e përfshirë në politikë. Që në dhjetorin e vitit 1990, si studente pjesëmarrëse në Lëvizjen Studentore që solli ndryshimin historik për vendin, pasuar me firmosjen në aktin e Themelimit të PD-së. Më tej vijova në jetën aktive të PD-së si dhe isha pjesë aktive e strukturave të LDGSH. Kam investuar në karrierën dhe ngritjen time profesionale, me bindjen se kjo do të më shërbejë edhe për pasionin tim dhe për të qenë një aset i forcës sime politike, PD-së.
Si i keni marrëdhëniet me koleget, e kam fjalën edhe për ato të forcës kundërshtare?
Korrekte dhe dashamirëse, sipas rastit. Edhe pse është krijuar një përshtypje se ne gratë merremi vesh më mirë me burrat, sepse ndërmjet ne grave në politikë ka paragjykime, keqkuptime, pse jo shtyrje bërrylash, unë për vete konstatoj se më së shumti dominon vullneti i mirë. Gjithsesi, në shumë raste kam konstatuar diçka trishtuese, të pafalshme: tërheqjen dhe heshtjen arrogante të kolegeve të majta ndaj çështjeve si varfëria e grave, e nënave, sidomos kryefamiljare, dhunës ndaj tyre dhe ndaj të miturve.
Mendoni se politika është një fushë e egër për femrat, i tjetërson gratë?
Është sfiduese, shumë herë rraskapitëse përballja në komisione dhe në seancë me deputetë të mazhorancës, por mendoj se politika duhet t’i zgjerojë radhët e saj me gra e vajza. Kemi shumë punë dhe duhen përpjekje nga ana jonë, si në PD, por edhe në partitë e majta, për të promovuar e mbështetur më shumë rolin dhe nismat e grave në politikë. Por që, e thashë edhe më sipër, vetë gratë në politikë bëjnë shumë pak ligje, vendime dhe programe të dobishme për gratë dhe vajzat shqiptare. Nuk ka dhe nuk do të ketë gra të zhvilluara pa shkollim dhe punësim.
Keni një idhull në politikë, një imazh të cilit kërkoni t’i përngjani?
Kam disa modele për të cilat gëzoj respekt dhe vlerësim të veçantë. Për shembull gruaja e hekurt, kryeministria britanike Margareth Theçer, kancelarja gjermane Merkel, më pëlqen performanca e presidentes kroate, por si profil numër një në publikun botëror mbetet Hillary Clinton. Kam pasur fatin të jem e para, dhe deri më tani e vetmja grua nga Shqipëria, të bëhem pjesë e një projekti të lançuar nga ajo qysh në vitin 2011, kur ishte akoma Sekretare e Shtetit në USA, për më shumë gra në politike dhe administratën publike (Women in Public Project), me ambicien që deri në vitin 2050 të kemi një përfshirje në nivel global të 50×50 gra në çdo nivel vendimmarrje.
Sa e lidhur jeni me drejtuesit e PD-së; i quani miqtë tuaj edhe jashtë politikës?
Me drejtuesit e PD-së kam marrëdhënie zyrtare kolegësh, por me disa drejtues departamentesh dhe forumesh të tjera kam edhe marrëdhënie shoqërore. E rëndësishme është që mes deputetëve dhe forumeve, si dhe me bazën në tërësi, ka një klimë bashkëpunuese dhe harmonike.
A jeni penduar për pjesëmarrjen tuaj në politikë?
Unë nuk pendohem kurrë për vendimet që marr, aq më tepër kur punoj dhe sakrifikoj për rezultatet, siç është politika, që mbetet baza e karrierës sime në çdo rast.
Ka raste kur keni ndjerë se jeni gabuar, por keni vijuar nën sloganin e partisë që përfaqësoni?
Po, ka pasur raste, por nuk kanë qenë aq flagrante sa vija e partisë të binte fort ndesh me parimet dhe besimet e mia te vlerat të cilat i konsideroj të shenjta.
Ju shohim shpesh të promovoni zonën tuaj, Tropojën; sa e lidhur jeni me vendin tuaj?
Jam bijë Tropoje, unë jam lindur dhe rritur atje derisa kam mbaruar shkollën e mesme, për t’u shkëputur më pas me vazhdimin e studimeve të larta në Tiranë, në fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, dega elektronike, në vitin 1987, dhe asnjë moment nuk jam shkëputur. Edhe atëherë kur nuk kam pasur mundësi të shkoj, lidhjet i kemi mbajtur të gjalla. Vitet e fundit kam qenë prezente rregullisht, sidomos në zgjedhjet e 2013-ës, dhe në zgjedhjet e 2015-ës dy muaj u shpërngula atje. Çdo javë, ka raste edhe dy e tri herë në javë, shkoj për takime, mbledhje me strukturat dhe nisma për projekte të zonës. Promovimi turistik i Valbonës, bjeshkëve dhe zonës së paeksploruar Nikaj-Mërtur, është drejtim i rëndësishëm dhe i vazhdueshëm i punës. Së fundmi, falë një bashkëpunimi dhe vullneti të shkëlqyer me ambasadën daneze, bëmë të mundur ardhjen e një grupi deputetësh, të cilët u mrekulluan me bukurinë dhe mikpritjen e Valbonës. Unë vazhdoj përpjekjet për lobime të tjera evropiane, për të zhvilluar turizmin malor të kësaj zone.
Cilat janë vendet që çdo turist duhet të vizitojë në Tropojë?
Tropoja, në vlerësimin e shumë ekspertëve të turizmit malor, mund të konsiderohet përfundimisht një destinacion kyç i turizmit malor, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. Valbona, Bjeshkët e shumta, Nikaj-Mërtur janë me të vërtetë një mrekulli e Zotit, një muze i gjallë i natyrës, ku ti merr mbresa të pashlyeshme në çdo kilometër, gjen relieve të ruajtura shumë mirë, falë shpirtgjerësisë dhe fanatizmit të banorëve për dashurinë ndaj natyrës. Mbi të gjitha, vetë lumi i Valbonës është unik në Ballkan për ngjyrën e kaltër dhe kthjelltësinë që ai ka, si dhe gurët shkëmborë që të krijojnë idenë e pamjeve filmike. Madje vetë një nga deputetet kryesore të parlamentit danez e cilësoi gjithë udhëtimin përgjatë luginës si pjesëmarrje në një film. Në këto zona, gjen edhe shpella, monumente kulturore, si kulla të vjetra, ndonëse fatkeqësisht shumica e tyre janë braktisur e lënë pas dore. Është Kulla e Micit, e cila ka një ciceron unik në Ballkan, një profesor historie mbi 80 vjeç, por që reciton përmendësh eposet dhe gojëdhënat; ka një pasuri të jashtëzakonshme me drurë frutorë, si gështenjat, arrorë, boronicë.
Si është jeta e Mimozës kur jeni larg politikës?
Është e thjeshtë dhe sa me familjen si dhe me prindërit e mi. Përpiqem të zhvilloj e të marr pjesë në aktivitete për gratë në Tropojë, por dhe në Tiranë. Njëherësh kam pasion të udhëtoj sa më shumë në jug dhe veri, Kosovë, por dhe në rajon.
Cila është familja juaj, si e rikuperoni kohën e humbur?
Fatmirësisht kam një familje që për kohën mund të quhet relativisht e madhe. Jetoj me dy prindërit e bashkëshortit, kam dy fëmijë të mrekullueshëm, dhe bashkëshortin, i cili është një bashkëpunëtor i ngushtë i imi në punën që bëj.
Nëse fëmijët tuaj do të donin të bëheshin pjesë e politikës, çfarë këshille do t’u jepnit?
Jam e lirë nga kjo përgjegjësi, sepse djali dhe vajza kanë dëshira dhe pasione krejt të ndryshme nga politika. Shpesh ata janë kritikët e mi më të fortë dhe gjykues të ftohtë të parlamentit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb