Nga: ENRIK MEHMETI

TIRANE– Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, e ka klasifikuar më herët shqetësuese situatën e krijuar në portin e Durrësit. “News24” siguron një shkresë të ministrit të Transporteve që mban datën 3 prill 2015, e që i është adresuar Drejtorit të Portit të Vlorës me numër protokolli 2080.
Shkresa vjen pas ankesës së një kompanie, lidhur me kërkesën e portit për prishjen e njëanshme të kontratës.

Në shkresën zyrtare të Ministrisë së Transporteve, e që mban firmën e numrit 1 të këtij institucioni, cilësohet se ky veprim kufizon konkurrencën e lirë në transportin ndërkombëtar, duke ndarë në mënyrë arbitrare tregun e duke i sjellë portit një dëm ekonomik të konsiderueshëm.

Më tej, ministri Haxhinasto i tërheq vëmendjen drejtorit të Portit të Vlorës, duke i kërkuar ndërprerjen e veprimeve, ose në të kundërt paralajmëron masa të rënda administrative dhe ligjore.

Por pavarësisht kësaj shkrese, një muaj më vonë, mëngjesin e 12 majit, me qindra udhëtarë kanë përjetuar një makth të vërtetë, duke bërë që një pjesë të prisnin dy orë në det e më pas të lejohej ankorimi i tragetit “Red Star”, ndërsa pjesa tjetër nuk janë lejuar në orët e drekës të futeshin në portin e Vlorës, e të niseshin me të njëjtën kompani, drejt Brindisit.

Kjo u argumentua me një grafik të hartuar nga porti i Vlorës, e që nuk lejonte aktivitetin e kësaj kompanie në atë ditë. I njëjti pretendim është shfaqur edhe këtë të enjte, kur trageti i të njëjtës kompani, që vinte nga Brindisi, me rreth 100 udhëtarë është ankoruar me dy orë vonesë në portin e Vlorës.

Ndërkohë drejtori i Portit nuk pranon të prononcohet për “News24”, por deklaron publikisht se nuk ka asnjë pengesë për lundrim të këtij trageti. Nga ana tjetër neës24 disponon edhe e-mailin që i është dërguar natën e së mërkurës kësaj kompanie nga kapiteneria e Portit, ku njoftohet se “Red Star” nuk është në grafikun e paraqitur nga dispeceria e portit të Vlorës për të lundruar.

Situata e krijuar këtë të enjte, ka bërë që kompania të nisë një tjetër ankesë në drejtim të Ministrisë së Transporteve. Të martën, kompania depozitoi kallëzim penal të Prokurori për drejtorin e Portit dhe shefin e Kapitenerisë për shpërdorim detyre dhe favorizim të një tjetër kompanie.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb