Nga: ARMIR MEHAJ*
PUKE – Ashtu siç kishin paralajmëruar, punonjësit e kompanisë së koncesionarit turk të nxjerrjes dhe pasurimit të bakrit në zonën e Pukës, u ngritën sot në protesta, duke kundërshtuar vendimin e kompanisë “Ber Alb, për pezullimin e aktivitetit për afro një vit.
Në krye të protestave të Fushë Arrëzit u pa sot vetë kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, i cili kërkoi rikthimin në punë të kompanisë, e cila papritmas ndërpreu punën, duke lënë rreth 500 punonjës pa bukë.

Kalaja bëri të ditur se reagimi sindikalist kishte ardhur pas dështimit të negociatave në tryezë, të cilat edhe pse vijuan prej një muaji, nuk u gjet gjuha e përbashkët.
“Jemi këtu të shtyre nga shkelja ligjore e koncesionarit turk dhe jo për motive të tjera. Qeveria shqiptare nuk duhet të heshtë përballë shkeljes se kontratës kolektive të punës”, – u shpreh Kalaja nga Fushë Arrëzi, teksa ka ftuar kompaninë BerAlb ose t’i kthehet punës, ose nuk do të ketë më vend në Fushë Arrëz.

Minatorët e Munelles, të cilët për mëse dy orë bllokuan rrugët kryesore, të qytetit të Fushë Arrëzit lëshuan alarmin për rrezikun që i kanosej minierës së Munelles, e cila nëse nuk fillohet punë së shpejti atëherë galeria rrezikon shembjen. Ata premtuan se reagimi i tyre nuk do të mbyllej këtu, pasi një tjetër protestë do të organizohej akoma më e madhe pas dhjetë ditësh e më pas protestat do të përshkallëzoheshin në grevë urie.

Në mbështetje të punonjësve të kompanisë “Ber Alb” ishin sot dhe të afërm e familjarë të tyre, ndërkohë që protestës së Fushë Arrezit ju bashkuan dhe krerët e sindikatave nga zona të tjera të Shqipërisë të cilët shprehën solidaritet me minatorët e Munellës.

“Ber Alb”, koncesionari i nxjerrjes dhe pasurimit të bakrit në Munellë e Fushë Arrëz, prej 1 shtatorit ka pezulluar aktivitetin e tij nën justifikimin e rrënjës së çmimit të Bakrit në bursë çfarë ka sjellë dhe humbje në të ardhurat e kompanisë.

Ajo ka premtuar se deri në janar do të paguajë punonjësit me pagën bazë por këto të fundit kërkojnë respektimin e kontratës kolektive të punës, të cilën e kanë të nënshkruar deri në qershor të vitit 2017.

Ndërprerja e aktivitetit të Ber Alb ka shkaktuar kaos social-ekonomik kryesisht në zonën e Fushë Arrëzit, ku 90% e familjeve të zonës kishin të punësuar të paktën një pjesëtar pranë kësaj kompanie. Kompania turke e nxjerrjes dhe pasurimit të bakrit e përballur disa herë me protestat e punonjësve dhe banorëve të zonës kishte impaktin më të madh ekonomik për zonën, ndërsa shpesh me financimet e saj ka ndikuar dhe në infrastrukturën e zonës apo zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: