TIRANË- Minatorët dhe sindikatat që i mbrojnë janë bërë të gjithë bashkë para Kryeministrisë. Ndonëse fillimisht kanë dalë vetëm minatorët në pension, më pas edhe sindikatat iu janë bashkuar për të kërkuar statusin e minatorit.

proteste minatoret (1)

Ndonëse policia e Tiranës iu ka refuzuar kërkesën për tubim para Kryeministrisë, minatorët kanë vijuar aksionin e tyre. Ata kërkojnë të drejtën për statusin e minatorit, ndërsa shtojnë se etapat e diskutimeve kanë kaluar.

“Jemi brenda rregullave, është protestë paqësore, jo për të shkatërruar e djegur. Kërkojmë të drejtat tona. Minatorët kërkojnë statusin e tyre. Ne do ta vazhdojmë protestën. Kërkojmë një të drejtë që duhet të ishte dhënë që në fillim të demokracisë. Ne kemi bërë bisedime me ministrinë përkatëse dhe ka qenë zv.ministri në tavolinë dhe kemi rënë dakord për 11 pikat e statusit. Si status ka përfunduar, ka kaluar të gjithë institucionet por nuk e kuptojmë pse vjen ky ngërç. Ndaj ne do dalim në protestë para kryeministrisë që ky status të jepet në kohën sa më të shkurtër. Ne jemi të organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Taf Koleci, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së e Sindikatave të Punonjësve të Industrisë të Shqipërisë.

Edhe kreu i sindikatës se minatorëve, Fiqiri Xibri i është bashkuar protestës së minatorëve. Ai ka bërë thirrje që të gjitha sindikatat dhe të gjithë minatorët të bëhen bashkë. Madje ka paralajmëruar se do i vënë flakën ISSH-së.
“Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu. Pavarësisht se këtë protestë nuk e organizuam ne, rëndësi ka që minatorët të jenë të gatshëm për të luftuar për të drejtat e veta. Që minatorët të luftojnë për dinjitetin e tyre, pavarësisht ngjyrave të partive apo erërave të sindikatave. Nuk ka rëndësi se kush është në qeveri PS apo PD, nuk ka rëndësi se cila është sindikata që përfaqëson sot ose nesër, ose dje, rëndësi ka që ne të jemi të gatshëm për të mbrojtur veten tonë, dinjitetin tonë, gjakun tonë që e kemi lënë nëpër miniera dhe qeveritë nuk e njohin. Tre muaj më parë ne ishim këtu dhe bëmë sherr të panevojshëm. Ç’nevojë kemi në minatorët të përplasemi me policinë? E vetmja nevojë është heshtja makabre e qeverisë. Në qoftë se janë humanë, duhet të bëjnë transparencën e hajdutëve atje në ISSH sepse ISSH është kthyer në bandë korrupsion dhe akoma nuk ka filluar puna për të pastruar skemën nga hajdutët. Ka 25 vjet, por të paktën 10 vjet që ne protestojmë dhe qeveritë na thonë nuk kemi para. Si nuk keni para more zotërinj, është leku jonë, është gjaku e djersa jonë. E hanë hajdutët që marrin pensione false. Jemi dënuar ne për protesta, ndërkohë që nuk dënohen hajdutët. Fajtorët numër një është politika, janë qeveritë që përkrahin bandat. Në qoftë se qeveria ka edhe gurin edhe arrën dhe ka paratë tona për t’i përdorur kundër nesh. Edhe ne kemi armën tonë, zemrën tonë, dinjitetin tonë dhe bashkimi jonë. Nuk ka rëndësi se kush e organizon, të jemi të gjithë bashkë, të luftojmë të gjithë bashkë dhe radhën tjetër nuk largohemi më pa e realizuar statusin. Do i vëmë flakën Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, deklaroi Xibri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb