Minatorët e Bulqizës i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Presidentit të Republikës Ilir Meta, si dhe për dijeni kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, me anë të së cilës kërkojnë plotëismin e kërkesave të tyre.

Prej ditësh në protesta, minatorët në kufijtë e dëshpërimit, shprehen se sot më tepër se kurrë e jeta dhe shëndeti i tyre është në rrezik, ndërsa paraqesin një listë me 6 kërkesa për t’u plotësuar.

“Ne, Përfaqësia e Protestuesve Minatorë, të zhytur në zgafelle ferri, ku jeta e minatorit nuk vlen asgjë, të zhytur në mjerim dhe pa asnjë perspektivë, ku shpesh herë na është premtuar nga të gjitha qeveritë që kushtet tona të punës do të ndryshojnë, ku gjendja jone ekonomike do të përmirësohet, sot më tepër se kurrë e shikojmë se jeta dhe shëndeti ynë është në rrezik”, thuhet në letrën e tyre.

“Të detyruar të ngremë zërin për të siguruar një jetë më të mirë për veten tonë dhe familjet tona, parashtrojmë kërkesat tona si më poshtë:
1. Të miratohet statusi i minatorit;
2. Të rriten pagat dhe të jepet leje vjetore me të drejtë page;
3. Renta minerale t’i kthehet si e ardhur Bashkisë dhe të përdoret në Bulqizë;
4. Të sigurohen kontrolle shëndetësore dy here ne vit dhe pa pagesë, duke pasur parasysh se minatorët vuajnë nga sëmundje profesionale. Gjithashtu minatorëve tu rimburohen ilaçet 100%;
5. Paga minimale e punëtorëve të cilët punojnë në minierat e nëntokës të mos jetë më poshtë se shuma 70 mijë lek të reja;
6. Të përmirësohen kushtet e punës;”

Minatoret 1
Minatoret 1

PERFAQËSIA E PROTESTËS SË MINATORËVE
1. Bektash Jangulli
2. Ramazan Murja
3. Lutfi Loka
4. Agim Mera
5. Luan Daka
6. Agim Kurcani
7. Nazmi Jakimi
8. Bashkim Xheleshi
9. Shpëtim Kaci
10. Destan Hupi
11. Nehat Sejdini

Ndërkohë ka dhe një kërkesë drejtuar Komisariatit të Policisë Bulqizë, rrethi Dibër, mbi protestimin e minatorëve pensionistë të Bulqizës.

“Ne, përfaqësuesit e minatorëve pensioniste, kemi vendosur të protestojmë për të drejtat tona që na janë mohuar me dekada nga të gjitha qeveritë.
Tashme protesta jone ka vazhduar dhe do të zhvillohet çdo ditë nga ora 14:30 deri në orën 15:30 në bulevardin e qytetit të vjetër. Protesta jone do të jetë paqësore dhe nuk do të ndalet deri me miratimin e kërkesave tona nga ana e qeverise, në të kundërt do të përshkallëzohet deri ne greve urie. Si një mjet i lejuar demokratik, për sensibilizimin e qeverisë për të mbrojtur interesat e minatorëve, kërkojmë nga ana juaj të merren masat e nevojshme për mbarëvajtjen e protestave tona dhe shmangien e provokimeve”, deklarojnë minatorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb