TIRANË

Minatorët së bashku me disa anëtarë të sindikatës  janë mbledhur  sot në një protestë para godinës së kryeministrisë. Ata kanë kërcënuar me grevë urie nëse nuk do të merren në konsideratë kërkesat e tyre për miratimin e statusit.

Minatorët dhe sindikatat mbrojtëse i kanë lënë afat qeverisë deri me 22 shkurt.

Sipas tyre, kërkesat e njëpasnjëshme për miratimin e statusit vijojnë të bien në vesh të shurdhër pasi nuk është bërë ende asgjë në këtë drejtim.

“Futemi në grevë urie po nuk u miratua statusi. Do të futemi në grevë urie më datë 22 shkurt. Kemi 12 vjet që kërkojmë statusin”, u shprehën minatorët.

Në dhjetorin e kaluar, minatorët e Bulqizës iu drejtuan  me anë të një letre shefit të qeverisë, presidentit, kreut të Kuvendit si dhe vendosën në dijeni edhe kreun e PD-së për kushtet e mjerueshme në të cilat punojnë.

Ata u shprehën se jeta e tyre ka hyrë në një “ferr të vërtetë” dhe për këtë parashtruan një sërë kërkesash si më poshtë:

“Të detyruar të ngremë zërin për të siguruar një jetë më të mirë për veten tonë dhe familjet tona, parashtrojmë kërkesat tona si më poshtë:

  1. Të miratohet statusi i minatorit;
  2. Të rriten pagat dhe të jepet leje vjetore me të drejtë page;
  3. Renta minerale t’i kthehet si e ardhur Bashkisë dhe të përdoret në Bulqizë;
  4. Të sigurohen kontrolle shëndetësore dy here ne vit dhe pa pagesë, duke pasur parasysh se minatorët vuajnë nga sëmundje profesionale. Gjithashtu minatorëve tu rimburohen ilaçet 100%;
  5. Paga minimale e punëtorëve të cilët punojnë në minierat e nëntokës të mos jetë më poshtë se shuma 70 mijë lek të reja;
  6. Të përmirësohen kushtet e punës;”,  shkruhej në letrën e tyre.
    • foto galeri
    • foto galeri

Nga ana tjetër sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë të Shqipërisë, Taf Koleci premtoi se shumë shpejt në parlament do të mbërrijë draft statusi i minatorëve. Teksa ftoi sindikatat dhe grupet e interesuara për të diskutuar mbi amendimet Koleci tha se ky status ku përfshihet rroga dhe vjetërsia e punëes, do iu japë zgjidhje të gjitha kërkesave të minatorëve.

Protestat e minatorëve në të gjithë vendin për miratimin e statusit dhe të përmirësimit të kushteve te punes kane qene te vazhdueshme. Në fund të vitit e kaluar ishin minatorët e Bulqizës të cilët iu drejtuan  me anë të një letre  presidentit, kryeministrit e kreut të Kuvendit ne te cilen shprehnin kërkesat e tyre.

(N.M/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb