Ish-presidenti i Shqipërisë Bamir Topi i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për Mini-Shengenin ballkanik dhe mënyrën si vepron kryeministri Rama.

Topi tha se udhëheqësit serb nuk ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri dhe se kur vjen puna te Kosova, ata janë të njëjtë.

“Udhëheqësit serb janë njësoj. Çështja e Kosovës është tabu. Presidenti Tadic shpesh kërkonte t’i zgjidhte problemet me Kosovën me dialog me Shqipërinë, gjë që është refuzuar në mënyrë elegante nga unë dhe qeveria e asaj kohe, sepse po rrëshkisnim në terren paradoksale. Unë iu kam thënë kur pyesnin për kishat serbe në Kosovë, iu kam thënë se duhet të pyesnin Prishtinën zyrtare”, tha Topi.

Bamir Topi theksoi se Samiti i Mini-Shengenit mbahet vetëm dy ditë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç përdori gjuhë fyese për masakrën e Reçakut.

Unë mendoj që në një ekuacion të ndërlikuar, sigurisht që është rregull matematikor që fillimisht bëhen veprimet brenda kllapës. Është e dukshme te kryeministri Rama që merr rolin e protagonistit. Shefi i qeverisë duhet të ketë së pari një ndërgjegje jashtëzakonisht të pasur kur vjen puna tepër të rëndësishme, pasi janë çështje të marrëdhënieve historike që serbët e shqiptarët kanë pasur në këtë rajon. Ky takim bëhet aq më tepër pak pasi presidenti Vuçiç sulmon përfaqëson ambasadorin amerikan për masakrën e Recakut, duke mohuar atë. Politika e shtetit shqiptar duhet të jetë më e mirë. Zyrtarët francezë nuk kanë ardhur në Shqipëri që më 1990. Më duken takime për ekzibicion. Mirëpo, sa i takon dialogut, duhet dialog mes vendeve, patjetër”, u shpreh Topi.

Për Topin, Shqipëria ka pasur dhe duhet të ketë atributet e vëllait të madh në raport me Kosovën.

“Mendoj se shteti shqiptar është personalizuar. Rama e ka personalizuar. Është njësoj si të thuash Ronaldos luaj vetë. Jemi në një situatë ku kontrollon gjithçka, flet me arrogancë madje edhe me të tijët. Kjo arrogancë, ky pushtet i pakufijshëm e bën problematik. Ka marrëdhënie problematike me parlamentin, me liderët e Kosovës etj. Rama është mirë me Vucicin. Nuk e di, por ndoshta Rama ka marrë rol nga diplomacia europiane dhe është thënë të marrë pjesë në të. Problemi është se ku do e çojmë Kosovën? Në mënyrë absolute që Shqipëria ka rolin e vëllait të madh ndaj Kosovës. Sot e kësaj dite, Kosova ka mbetur si ishull, s’ka lëvizje të lirë. Unë shoh se edhe liderët në Kosovë kanë problemet e veta”, theksoi ish-presidenti.

Më tej, Bamir Topi vlerësoi se politika në Shqipëri e ka bërë situatën çorap. Sipas tij, kjo politikë që ndiqet në vend nuk duhet të eksportohet, kurse shtoi se Serbia ka marrë rolin e violinës së parë në rajon.

“Unë do thosha për politikën shqiptare se brenda këtu e ka bërë gjendjen çorap. Dhe këtë situatë çorap nuk duhet ta eskportojë. Vërtetë ka probleme edhe në Kosovë, edhe në Maqedoninë Veriore te pjesa e shqiptarëve. Duhet që të bashkërendojmë për të ardhmen tonë të përbashkët. Unë nuk shoh që Shqipëria të ketë rol kryesor. Rolin e violinës së parë po e merr Serbia”, deklaroi Topi.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb