Ndonëse doli me vetëm një pikë nga ndeshja debutuese kundër Spanjës në Kampionatin Europian të Minifutbollit, Shqipëria e ka rritur jo pak dozën e vetëbesimit. Kuqezinjtë tashmë janë të vetëdijshëm se i kanë të gjitha mundësitë për t’u përballur pa frikë dhe si të barabartë me çdo kundërshtar.

Këtë gjë e konfirmon edhe Eugen Shima, sulmuesi Kombëtares. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shima ka komentuar debutimin e Shqipërisë në “Euro 2022”, teksa thotë se ndaj Spanjës skuadrës i mungoi pak fati.

Megjithatë, Shima pohon sa pas një ndeshjeje të tillë, skuadra del më e fortë dhe më e ndërgjegjshme për forcën e saj. Shima gjithashtu rrëfen edhe emocionet e përjetuara në “Steel Arena” duke përfaqësuar Shqipërinë në një kompeticion të tillë, ndërsa flet edhe për mbështetjen e tifozëve, të cilën Kombëtarja jonë e ka pasur edhe në Kosice të Sllovakisë.

Shima

Shima, ndaj Spanjës ju mungoi vetëm goli. Cili është komenti juaj për ndeshjen e parë në “Euro 2022”?

Ishte një ndeshje që kishte nivelin maksimal të impenjimit nga i gjithë grupi, pasi e kishim vlerësuar shumë. Kishim disa raste për shënim, të cilat nuk u konkretizuan, ndoshta na mungoi pak fati.

E prisnit një paraqitje të tillë dhe një Shqipëri kaq dominuese?

Absolutisht që po! Kemi bërë një punë mjaft të mirë për të arritur këtu dhe për të marrë rezultate pozitive. Jemi në një grup me kundërshtarë shumë të fortë dhe me shumë eksperiencë në të tilla kompeticione.

Sa do të ndikojë në vetëbesimin e Kombëtares një lojë e tillë?

Është një vetëbesim që mund të na çojë shumë lart. Shpresoj që djemtë të vazhdojnë me këtë vetëbesim dhe mos të tregohemi inferiorë ndaj asnjë kundërshtari. Ndërkohë, patët edhe mbështetjen e tifozëve shqiptarë.

Cilat ishin emocionet që përjetuat?

Ishte diçka shumë e bukur. I prisnim, sepse i kishim takuar në qytet, në hotel e na mbështetën dhe për këtë i falënderojmë.

Si ishte të luanit në një arenë madhështore siç është ajo e Kosices në Sllovaki, ku edhe po mbahet Kampionati Europian?

Arena ishte fantastike. Është një superorganizim nga organizatorët, ku le të themi nuk mungon asgjë. Është diçka shumë e bukur të marrësh pjesë në një kompeticion europian të tillë dhe të përfaqësosh vendin tënd në një arenë fantastike. Tashmë ju pret ndeshja kundër Rumanisë, një kundërshtar shumë i fortë dhe favorit për trofeun.

Si vjen Shqipëria në këtë takim?

Rumania është një ndër pretendentët kryesorë për të fituar këtë Europian. Sigurisht, kur ke një kundërshtar të fortë përballë, edhe impenjimi është maksimal. Shpresojmë për një rezultat pozitiv dhe pse jo të kemi pak fatin këtë radhë në anën tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb