Prestige ka zhvilluar dje ndeshjen e dytë në Sunday League Albania, duke regjistruan një tjetër fitore me “poker”, teksa mposhti me rezultatin 4-2 ekipin KKD, sfidë e vlefshme për Grupin A.

Takimi i luajtur në kompleksin “Skënder Halili” rezultoi interesant dhe i luftuar deri në fund, por Prestige u tregua më i saktë, duke dalë me tri pikë nga kjo përballje. Protagonisti kryesor i këtij triumfi për Prestige ishte Biba, autor i një triplete, ndërsa rrugën e rrjetës e gjeti gjithashtu edhe Branica.

NDESHJA – Si gjithnjë, që në start, Prestige e zhvendosi lojën në gjysmëfushën kundërshtare, duke krijuar menjëherë raste shënimi. Mundësinë e parë të artë e kishte Vasha, i cili u ndal nga shtylla që në minutat e para.

Prestige vijoi me një seri sulmesh, por mungoi saktësia në finalizim, ndërsa ekipi KKD provoi t’i afrohej portës kryesisht me goditje standarde.

Në të 19-ën Prestige gjeti golin e avantazhit, teksa Shima provoi me gjuajtje nga distanca, me topin që u ndal fillimisht nga shtylla, por më pas Biba u tregua i vëmendshëm dhe e dërgoi sferën në rrjetë.

Me rezultatin 1-0 u mbyll edhe fraksioni i parë i lojës. Në pjesën e dytë Prestige u fut disi i përgjumur në fushë dhe u ndëshkua menjëherë, me ekipin KKD që gjeti barazimin në të 32-ën.

Pas golit trajneri Eldiano Topi nisi serinë e ndërrimeve, duke hedhur në fushë fillimisht Fatmir Hysenbelliun, i cili mori vendin e Vashës.

Prestige rinisi ofensivën në kërkim të avantazhit, duke e gjetur golin në të 48-ën, pas një aksioni model nga trekëndëshi BranicaShima-Biba, me këtë të fundit që finalizoi në mënyrë të shkëlqyer.

Por KKD befasoi sërish, dhe vetëm dy minuta më vonë vendosi baraspeshën. Megjithatë, ekuilibri nuk zgjati shumë, teksa në të 53-ën, pas një harkimi të Shimës nga një goditja standarde, Biba u çmarkua bukur në zonë dhe e devijoi topin me kokë në rrjetë, duke kompletuar tripletën personale. Ndërkohë, tre minuta nga fundi, ishte Branica, i cili me një devijim fluturimthi i mbylli llogaritë e ndeshjes, duke vulosur triumfin 4-2 për Prestige.

Prestige Kdb
Prestige Kdb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb