Prestige MFC dje ka zhvilluar sfidat e radhës me të dyja ekipet në kampionatin “5×5”, kompeticion i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në ndeshjen e saj të gjashtë sezonale në këtë aktivitet, Prestige ka regjistruar fitoren e pestë, teksa ka mposhtur me goleadë 8-0 skuadrën Tv Klan, në takimin e vlefshëm për Grupin F.

Një përballje pa shumë histori, pasi Prestige u shfaq superior gjatë të gjithë kohës në përballjen e zhvilluar në kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet.

Një ndeshje që nisi menjëherë me ritëm të lartë nga Prestige, që arriti që t’i zhbllokonte shifrat në të 6-ën me Rapon, i cili finalizoi saktë një kombinim të bukur të nisur nga Ademi dhe Shima. Dy minuta më vonë, Branica me një të majtë potente realizoi golin e dytë për Prestige. Ndërsa në të 11-ën erdhi edhe goli i tretë, teksa Shima shmangu portierin për të servirur një asist për Nuzën, me këtë të fundit që nuk e kishte të vështirë ta shtynte topin në rrjetë me portën e boshatisur.

Në të 18-ën Shima finalizoi në shtyllën e dytë një aksion të bukur për golin e pestë, ndërsa në të 22-ën sërish Shima, pas një topi të marrë nga Xhaferi, realizoi golin e pestë për Prestige dhe të dytin personal.

Ndonëse me fitoren të hipotekuar, Prestige nuk e ndali lojën sulmuese as në pjesën e dytë, teksa Ademi në të 28-ën i dërgoi shifrat në 6- 0.

Goli i shtatë do të vinte pas një aksioni manual kalçetoje, me Nuzën që në fund shkarkoi në portë një të djathtë potente, duke e ndalur topin në trekëndësh.

Në fund Gjikola, pas një inkursioni personal e stampoi topin në rrjetë me një të majtë të fuqishme, duke fiksuar rezultatin përfundimtar 8-0.

Prestige Tv Klan
Prestige Tv Klan

Ndërkohë Prestige B, pas 5 fitoreve radhazi në po kaq ndeshje të zhvilluara në Grupin E, mbrëmjen e djeshme ka pësuar disfatën e parë sezonale, teksa është mposhtur me rezultatin 2-1 nga ekipi ATS.

Lama realizoi golin e parë në të 11-ën për ATS-në pas një kundërsulmi të shpejtë. Në të 15-ën, Xhika vendosi baraspeshën, duke finalizuar një kombinim të saktë për Prestige.

Por në të 18- ën, ishte Dushku që riktheu në epërsi ekipin ATS, me rezultatin që nuk ndryshoi më deri në fund me gjithë luftën e fortë sportive nga të dyja ekipet.

Prestige B
Prestige B

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb