Prej disa ditësh Shqipëria vazhdon stërvitjet në kuadër të Kampionatit Europian të minifutbollit amator që do të mbahet në Kosice të Sllovakisë.

Në prag të debutimit në “Euro 2022” është prononcuar edhe trajneri Olsi Xhaferi, i cili rrëfen për “Panorama Sport” përgatitjet e Kombëtares kuqezi për këtë aktivitet. Xhaferi e nis prononcimin e tij, teksa evidenton kohën e pakët që skuadra ka pasur për t’u përgatitur në raport me rivalët:

“Të themi të drejtën përgatitjen për Europianin e kemi filluar pak me vonesë, duke marrë parasysh kompeticionet që kemi pasur dhe për fatin tonë të keq lojtarët kanë qenë të angazhuar.

Ndërsa ekipet kundërshtare kanë pasur kohë dy muaj për t’u përgatitur. Pra, përgatitja jonë është më e shkurtër në raport me kundërshtarët. Kështu që po shkojmë me një disavantazh shumë të madh në këtë aspekt”, thotë Xhaferi.

Megjithatë, trajneri bën të ditur se ekipi gëzon një gjendje të mirë fizike: “Fizikisht mund të them se ekipi është në një gjendje të kënaqshme. Jemi të kënaqur edhe me pjesëmarrjen, kështu që shpresojmë të paraqitemi në një mënyrë sa më të mirë dhe dinjitoze, duke marrë parasysh kontigjentin e lojtarëve që kemi në dispozicion”. Më pas Xhaferi komenton edhe kundërshtarët:

Oni

“Rumania nuk ka nevojë për shumë koment, pasi është 6 herë kampione e Europës dhe favoriti kryesor le të themi. Me sa dimë edhe Spanja paraqitet me një ekip pretendent.

Azerbajxhanin jemi përpjekur ta ndjekim në disa video, por kanë qenë kryesisht ndeshje të kampionatit, ndërsa videot e Kombëtares janë të vjetra të 2018-ës, kështu që mund të merren për bazë deri diku, pasi mund të kenë ndryshime në këtë 4-vjeçar”, shprehet trajneri i Kombëtares kuqezi.

I pyetur se sa e vështirë është të marrësh pjesë në të tilla kompeticione ndërkombëtare, Xhaferi deklaron: “Vështirësia është shumë herë më e lartë, sepse përballemi me ekipe që janë të përgatitura në mënyrë perfekte deri në detaje, të cilat i kurojnë si në mbrojtje, në sulm apo në goditjet standarde. Por përveçse do të gjejmë lojtarë të përgatitur do të gjejmë edhe lojtarë cilësorë”.

Minifutbolli po merr një hov të madh edhe në Shqipëri, teksa po vlerësohet gjithnjë e më shumë nga ekipet e lojtarët. Lidhur me këtë fakt trajneri Xhaferi shprehet:

“Është e vërtetë, pasi ka goxha rritje në raport me para 3-4 vitesh. Kështu që me këtë pjesë jemi shumë të kënaqur, sepse po angazhohen shumë lojtarë, duke bërë që edhe zgjedhjet të jenë më të mëdha”, përfundon trajneri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb