TIRANË

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj mendon se projekti i ashtuquajtur “Shengeni Ballkanik” është një projekt i parealizueshëm, i përgatitur keq ose nuk është i përgatitur fare. Në rubrikën “Opinion” në News24 Mustafaj tha se kjo ky projekt është rikthimi tek një ide e vjetër e hedhur që në takimin mes ish-presidentit serb Sllobodan Milloshevic dhe ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano në 1998.

“Unë nuk jam dakord me atë që hidhet. Politikanët tanë apo edhe opinionistët kërkojnë krahasime për t’u bërë më të kuptueshëm për opinionin publik. Jugosllavia e re nuk më konvenon. Jugosllavia ishte një shtet. As ‘Shengeni i madh’ dhe as ‘Shengeni i vogël’ nuk presupozon se do bëhet një shtet. Sovraniteti i shteteve edhe brenda BE është i limituar por nuk është i asgjësuar. Nuk ka asgjë për t’u gëzuar për faktin se siç e tha Edi Rama, tha ‘meqenëse ju nuk po merreni me ne, ne po merremi me veten tonë’. Pra është rikthimi tek një ide të vjetër e hedhur që në takimin e Milloshevicit me Nanon në takimet e Kretës, që kanë qenë për Ballkaniken, BE me Ballkanin në vitin 1998 në mos gaboj. Një ide që nuk ka zënë vend as atëherë kur kishte më shumë kuptim sepse ishte dhe Kroacia e Sllovenia, edhe Shqipëria etj. Dy nga ato vende kryesore janë bërë anëtare të BE. Përderisa kjo ide nuk ka zënë vend në praktikë gjatë 20 vjetëve nuk ka asnjë arsye të mendohet se tani do të bëhet. Është një zhurmë propagandistike. Minimumi që kërkon ndërtimi i një projekti të realizueshëm është konsultimi paraprak. Ne zbulojmë se 6 vendet e presupozuar për minishengenin ballkanik, 3 nuk kanë ditur asgjë, Bosnja, Kosova, Mali i Zi. Do të thotë që gjysma, 50% e këtyre vendeve janë gjendur para faktit të kryer të kësaj ideje dhe nuk është shqyrtuar në institucionet e tyre të brendshme. Disa thanë që do ta shqyrtojmë, Kosova tha nuk na intereson, është kundër nesh madje, Mali i Zi gjithashtu ka shprehur rezerva. Këto bëhen me një konsultim paraprak. Përgatitet hedhja e një projekti të tillë. Katër liritë që presupozon ‘Shengeni’ janë praktikisht të parealizueshme, sidomos për vitin 2021 sepse kjo do të thotë ndërtimi i një sistemi doganor funksional dhe të unifikuar për të gjithë këto vende, në mënyrë që Durrësi të quhet kufi për të gjithë këtë dhe kufijtë e Bosnjës apo kufijtë e Serbisë apo Maqedonisë të quhen gjithashtu. Kur nuk po ndërtohet dot akoma një sistem funksional me Kosovën si do mund të ndërtohet brenda gjithë këtyre vendeve?! E dyta, Kosova e refuzon, si do të jetë Shqipëria me Serbinë, ‘Shengen’, hapësirë lirish të përbashkëta kur kanë Kosovën në mes?! Bie ai koncept.

Ky është një projekt i parealizueshëm. Është i përgatitur keq ose nuk është i përgatitur fare. Është i paragjykuar dhe de fakto, praktikisht janë të gjitha arsyet të mendohet se viti 2021, i shpallur si afat është i parealizueshëm”, tha Mustafaj.

Mustafaj foli edhe për çështjen e banorëve të Unazës së Re dhe nëse është politizuar problematika e tyre. Ai tha se janë dy aspekte të kësaj çështje pafuqia e opozitës për të ndikuar në vendimmarrjen e qeverisë dhe arroganca e qeverisë, por asnjëra prej tyre nuk prodhon politikë.

“Kjo është thikë me dy presa. Këtyre i është bërë thirrje nga maxhoranca banorëve të Unazës së Re të mos e politizojnë, ndërkaq janë gjendur vetëm. Opozita sigurisht që do ta bëjë pjesë të retorikës së saj por edhe të shqetësimeve të saj publike këtë dramë. Është dramë për qindra familje, nuk është një histori e vogël dhe në këtë kuptim unë besoj se në këtë në këtë dramë të madhe janë treguar dy aspekte të politikës, pafuqia e opozitës për të ndikuar në vendimmarrjen e qeverisë dhe arroganca e qeverisë. Në këtë kuptim politikë nuk është bërë dot se arroganca nuk është politikë dhe as pafuqia nuk prodhon politikë. Politikë do prodhonte në qoftë se opozita do të mund të ndikonte në ndryshimin e vendimit, kjo është dobia e politikës. Por thjesht me fol e bëjnë gazetarët. Nuk është arritur të bëhet politikë me këtë dramë kaq të madhe”, tha Mustafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb