PRISHTINE – Shqipëria ka gjetur konsensus me vendet e Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar rrjetin rrugor dhe hekurudhor rajonal dhe kërkon rivlerësimin e lidhjes hekururdhore Durrës-Shkup-Sofje.

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, që mori pjesë të mërkurën në Prishtinë, në Ministerialin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri, Serbi si dhe të Komisionit Evropian) theksoi në fjalën e tij se në hartimin e hartës së rrjetit kryesor rajonal është i nevojshëm realizmi, por edhe perspektiva e rajonit vetë, si dhe lidhjet e tij veçanërisht me zonën e Detit të Zi.

“Tashmë ka një konsensus të gjerë për hartën e rajonit dhe segmentet që kalojnë në Shqipëri, si Korridori Adriatiko-Jonian, Tiranë- Morinë – Prishtinë – Nish, apo Tiranë-Shkup. Gjithashtu për Portin e Durrësit, si pjesë e kësaj harte,” -tha ai.

Më pas Haxhinasto kërkoi rivlerësimin e lidhjes hekurudhore të Durrësit me Shkupin e me tej me Sofjen, si pjesë e Korridorit të VIII-të, që u mbështet edhe nga ministri maqedonas.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb