TIRANE– Në ditën e dytë të punimeve të Ministerialit në Bruksel, ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s adresuan elementë të rëndësishëm, që kontribuojnë në rritjen e gatishmërisë dhe aftësisë ripërtëritëse të Aleancës. Ministrat u njohën me ecurinë e punës në zhvillimin e disa kapaciteteve kyçe si mbrojtja kibernetike, mbrojtja raketore, adaptimi institucional i NATO-s, lufta hibride, etj.

Ministrat e Mbrojtjes deklaruan kapacitetin fillestar operacional të Inteligjencës së Bashkuar, Rikonicionit dhe Survejimit (JISR) të NATO-s dhe ranë dakord për të ndjekur punën mbi aftësitë ripërtëritëse, si një kontribut për frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjes të NATO-s.

Në fund të sesionit, disa vende prekën shkurtimisht dhe zhvillimet në Afganistan.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, mirëpriti progresin e arritur në zhvillimin e kapaciteteve të NATO-s dhe theksoi se Shqipëria, me një buxhet të mbrojtjes në rritje, mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe ato kombëtare, në harmoni me procesin e Planifikimit të Mbrojtjes të NATO-s.

Ajo shprehu mbështetjen për adresimin e disa elementëve të rëndësishëm si lufta hibride dhe “elasticiteti” i Aleancës për t’iu përshtatur ndryshimeve në ambientin e sigurisë. Ministrja Kodheli theksoi gjithashtu gatishmërinë e vendit tonë edhe për rritjen e numrit të ushtarakëve shqiptarë në misionet ndërkombëtare. “Shqipëria është duke ndjekur me vëmendje situatën në Afganistan dhe mbetet e gatshme të rrisë kontributin me personel shtesë në misionin ‘Resolute Support’.”, u shpreh Kodheli.

***
Në formatin e komisionit NATO-Gjeorgji, ministrat e Mbrojtjes së NATO-s, në prezencën e homologes gjeorgjiane znj. Khidasheli, trajtuan implementimin e paketës thelbësore NATO-Gjeorgji, e miratuar në Samitin e Uellsit.

Ministrja e Mbrojtjes mirëpriti zhvillimin e kësaj seance të dedikuar Gjeorgjisë, duke rikujtuar takimin bilateral që zhvilloi në Tiranë, në muajin dhjetor 2015, me Ministren Khidasheli. “Shqipëria mbështet integritetin territorial të Gjeorgjisë”,- tha Kodheli, e cila përgëzoi palën gjeorgjiane për reformat e ndërmarra në fushën e mbrojtjes. Në mbështetje të implementimit të paketës thelbësore NATO-Gjeorgji, Shqipëria do vijojë të ruajë kontributin e vet me një këshilltar të Planëzimit Strategjik/Operacional në zyrën e ndërtimit të kapaciteteve të mbrojtjes të NATO-s në Tbilisi.

Në mbyllje, Kodheli inkurajoi ministren gjeorgjiane për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe në këtë drejtim vendi ynë do vazhdojë të mirëpresë personel/studentë gjeorgjianë në Kursin e përvitshëm të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, që zhvillohet pranë Akademisë së Forcave të Armatosura të RSH-së.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: