VJENE– Zgjidhja e konflikteve, veçanërisht kriza në Ukrainë dhe përreth saj është në qendër të takimit të 24-t dy ditor të Këshillit Ministror të OSBE-së, në Vjenë, ku po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, me ftesë të homologut austriak Sebastian Kurz.

Në këtë takim të organizuar nën kryesinë austriake të OSBE-së, marrin pjesë 45 ministra nga shtetet pjesëmarrëse të Organizatës.

Gjatë dy ditëve të takimit, që do të përmbyllë kryesinë austriake të OSBE-së, ministrat do të përqendrohen në analizën e përpjekjeve të bëra për të zgjidhur konfliktet dhe për të adresuar sfidat në hapësirën e OSBE-së, veçanërisht për zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe përreth saj.

Gjithashtu, në fokus do të jetë edhe forcimi i kapaciteteve të OSBE-së për të nxitur bashkëpunimin, rigjallërimin e dialogut strategjik mbi çështjet e politikave rajonale të sigurisë, si dhe forcimin e OSBE-së për të adresuar në mënyrë efektive sfidat e reja globale.

Gjatë fjalës së tij Bushati u ndal në krizën në Ukrainë duke i bërë thirrje “të gjitha palëve të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht marrëveshjet e Minskut dhe të respektojnë angazhimet e tyre”.
thumbnail_IMG-20171207-WA0008

“Kriza në Ukrainë dhe rreth saj po hyn në dimrin e saj të katërt. Palët periodikisht angazhohen në armëpushimet e dakorduara dhe më pas i shkelin ato me frekuencë në rritje. Për fat të keq, Misioni Special i Monitorimit (SMM) raporton viktima pothuajse çdo javë”, theksoi Bushati.

Ministri deklaroi se “Shqipëria mbështet fuqishëm këtë Mision dhe nënvizon sërish se mbrojtja dhe siguria e Misionit është prioriteti më i madh”.

Bushati theksoi se “zgjidhja e vetme për krizën në Ukrainë dhe rreth saj është ajo politike dhe ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht marrëveshjet e Minskut dhe të respektojnë angazhimet e tyre”.

Duke iu referuar Kosovës, Ministri Bushati theksoi se “OSBE nuk duhet të diskutojë për Kosovën, pa Kosovën, si pjesë e diskutimit”.

”Efektiviteti i një misioni, përfshirë OMiK, matet gjithmonë me ndikimin e vërtetë që ai ka në jetën e njerëzve. Megjithatë, përkundër ndikimit të synuar, ne kemi vështirësi të kuptojmë se në shumë dokumente të OSBE-së, Kosova vazhdon të referohet me një shënim sa të vjetër aq edhe të papranueshëm”, tha Bushati.

Ai shtoi se kjo nuk është e gjitha, OSBE vazhdon të përjashtojë pjesëmarrjen e Kosovës kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me Kosovën, përfshirë raportet e misionit.

“Pyetja që ngrihet është se si mundet që operacionet në terren në Kosovë të synojnë të ndikojnë pozitivisht në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, kur organizata nuk e përfshin Kosovën. Më lejoni ta them qartë: kjo organizatë nuk duhet të diskutojë për Kosovën, pa Kosovën, si pjesë e diskutimit”, nënvizoi ministri.

Bushati falënderoi edhe kryesinë austriake të OSBE-së për punën e tyre të palodhur për të ndërtuar ura, në një kohë kur hapësira jonë e pandashme e sigurisë së përbashkët, është e rrethuar nga pasiguria, paparashikueshmëria dhe pasiguria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: