TIRANË-Ftesës së Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla për të uruar mësuesit pranë Shkollave Qendra Komunitare që kanë nën kujdestarin e tyre, me rastin e 7 Marsit, i janë përgjigjur disa ministra të kabinetit Qeveritar.

Tahiri uron mësuesit: Qeveria iniciativa që forcojnë kapacitetin e sistemit arsimor
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ishte sot me rastin e 7 marsit, për të uruar dhe bashkëbiseduar me mësues dhe nxënës të shkollave të mesme “Sami Frashëri” dhe “Myslym Keta” në Tiranë. Tahiri falënderoi mësuesit për kontributin e tyre dhe në emër të qeverisë dhe deputetëve iu uroi 7 marsin.

“Unë jam shumë i privilegjuar dy herë si Saimir që kam mbaruar “Samiun” bashkë me shumë të rinj dhe të reja të tjerë. Pata mundësi ta them dhe më parë: “Samiu” është legjendë më vete. Kështu që, praktikisht, kam dhe unë privilegjin të jem pjesë e krenarisë kolektive, por edhe për detyrën që mbaj. Dhe kam privilegjin sot që në emër të kolegëve të mi në parlament dhe të kolegëve të mi në qeveri të jem këtu dhe të ndaj këtë pjesë të gëzimit për t’i uruar mësuesve “Gëzuar 7 Marsin!”, tha Tahiri.

Ministri u shpreh se mësuesia është profesioni më fisnik. “Ne në fakt përveç 7 marsit, me të drejtë mund t’ju ftojmë që ta festoni ditë për ditë sepse, ndër detyrat, kjo është detyra që i vlen më shumë shoqërisë, për sa kohë që nxjerr breza të tërë. Unë bashkë me shumë shokë e shoqe të tjera, (sot të njohur ose jo, por sigurisht shumë të suksesshëm), kemi pasur fatin të kalojnë nga duart tuaja. Unë dua t’ju uroj mësueseve dhe mësuesve këtu sot Gëzuar 7-Marsin!”, tha ai

Ministri Tahiri përcolli një mesazh për arsimtarët që t’iu mësojnë të jenë të lirë, të përballen me zgjedhjet e tyre.

“Nuk ka asnjë dhuratë që mund të vlejë mirënjohjen që kemi ne, si brezat që kemi kaluar në duart tuaja, përballë gjithçkaje na keni dhënë për t’u bërë këta që jemi sot. Duke përdorur eksperiencën time, për t’ju thënë modestisht, jepini mundësinë nxënëseve dhe nxënësve të jenë ata që duan të jenë, të jenë të lire, të kenë mundësinë të mendojnë ndryshe, të kenë mundësitë të përballen me idetë e tyre, të kenë mundësinë të përballen me të kundërtat e tyre dhe të kenë mundësinë të forcojnë bindjen për të vazhduar përpara, të lirë në rrugën e tyre.  Unë besoj se dhurata më e mirë që mund t’i bëni fëmijëve është të kenë mundësinë që nën balancën ndërmjet disiplinës dhe lirisë të jenë të lirë të zgjedhin fatin e tyre dhe kjo është detyra më e shtrenjtë e juaja”, deklaroi ai.

Tahiri tha se çdo 7 mars është një ditë për të kujtuar mirënjohjen tonë ndaj jush duke theksuar se qeveria ka ndërmarrë një sëre iniciativash, të cilat forcojnë kapacitetin e sistemit tonë arsimor, për të mbrojtur dhe pasuruar sa më mirë asetin ose pasurinë më të madhe që kemi ne, që është dija.

“Gëzuar dhe një herë! Mirënjohja shkon e gjitha për ju. Faleminderit për gjithçka keni bërë ndër breza. Faleminderit për gjithçka bëni sot”, përfundoi Tahiri.

Edmond Haxhinasto
haxhoinasto
Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto ka zgjedhur të uroj mësuesit e qytetit të Elbasanit në ditën e 7 marsit festa e mësuesve. Në një postim në Facebook, Haxhinasto uron mësuesit e shkollës së Mesme, ‘Vasil Kamami’ në Elbasan, duke vlerësuar punën fisnike por të vështirë të mësueve në edukimin e brezave të rinj.

Kodheli: Profesioni fisnik i mësuesit, i barabartë me rolin e prindit
Kodheli

Me rastin e festës së mësuesit, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u takua me stafin pedagogjik të Qendrës së Gjuhëve të Huaja të Forcave të Armatosura. Kodheli vlerësoi profesionin fisnik të mësuesit dhe e konsideroi atë jo vetëm të pazëvendësueshëm por edhe si të barabartë me rolin e prindit.
“Për t’u bërë një njeri i ditur, nuk të mjafton interneti, nuk mjafton globalizmi dhe të gjitha njohuritë të cilat mund të marrësh në gjykimin tim, krejt sipërfaqësore nëpërmjet kësaj metode. Mësuesi, profesori, mbetet i pazëvendësueshëm”, tha ministrja Kodheli, e cila e konsideroi si të domosdoshme zotërimin e një gjuhe të huaj, sidomos asaj angleze.IMG_2601

“Duhet të kuptojmë se sa i rëndësishëm është mësimi i një gjuhe. Gjuha e Aleancës ku ne bëjmë pjesë krenarisht, që është gjuha angleze. Gjuhë pa të cilën askush nuk mund të bëjë asgjë në kushtet kur vendet aleate të NATO janë në ndërveprim, janë në misione të përbashkëta, janë në operacione të përbashkëta dhe e vetmja gjë përveç artit ushtarak që i lidh këto struktura, është pikërisht gjuha angleze” mbylli fjalën e saj ministrja Kodheli duke u uruar mësuesve festat e 7-8 marsit.
I pranishëm, Gjeneralmajor Bazo shprehu mirënjohjen për mësuesit e QGJH duke i konsideruar ata si mëkëmbësit e diturisë. “Meritoni t’ju shprehim mirënjohjen që nuk arrijmë ta bëjmë çdo ditë. Të paktën në ditën e 7 Marsit përulemi me mirënjohje përpara kësaj pune fisnike.”- tha ai.
Në fund, ministrja Kodheli dhe gjeneralmajor Bazo shpërndanë për stafin e mësuesve të kësaj qendre disa certifikata mirënjohjeje për kontributin e dhënë në arsimimin e personelit ushtarak e civil të FA-ve.
Qendra e Gjuhëve të Huaja zhvillon gjatë gjithë vitit kurse periodike të gjuhës angleze, franceze, italiane, gjermane, turke dhe greke për personelin ushtarak e civil të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Ditmir Bushati
Festës së mësuesit, i është bashkuar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati i cili ka vizituar sot shkollën e mesme “Abdulla Keta’ në kryeqytet.

“129 vite më parë u hap shkolla e parë shqipe dhe nisi rruga e farkëtimit të dijes së kombit. Sot së bashku me mësuesit dhe nxënësit e Shkollës “Abdullah Keta” në Njësinë Bashkiake Nr. 1 në Tiranë, për të festuar këtë ditë të shënuar. Mirënjohje për të gjithë brezat e mësuesve që me dashurinë dhe përkushtimin e tyre përçojnë dritën e diturisë. Gëzuar 7 marsin! Mirënjohje për dedikimin e tyre”, është shprehur ministri Bushati.


Klosi: Jemi zotuar t’i kthejmë vlerat dhe rëndësinë që i takon arsimit

Klosi Hoteleri-Turizem (2)
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi në kuadër të festës së mësuesve ka vizituar shkollën “Hoteleri-Turizëm”, në Tiranë. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Klosi ka përcjellë mesazhin e respektit për çdo mësues në vend që përcjell dije dhe fisnikëri tek nxënësit.

“Festojmë 7 Marsin, ditën e mësuesve, sot në Shkollën e Hoteleri-Turizëm në Tiranë, me mësuesit që u mësojnë studentëve zanatin dhe profesionin. Respekt për ta e respekt për çdo mësues të vendit tonë, që përcjell dijen dhe fisnikëron mendjet e fëmijëve, nxënësve dhe studentëve”, shkruan Klosi.

Po ashtu, ai nënvizon se “jemi zotuar t’u kthejmë vlerat dhe rëndësinë që u takon arsimit profesional të vendit tonë si një prej rrugëve më të sigurta dhe më të garantuara drejt punësimit”.
(m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb