GRAMSH

Qeveria ka zhvilluar një diskutim me banorët e Holtës në Gramsh për çështjen e HEC-it mbi kanionin e Holtës. Ndërsa banorët janë shprehur kundër ndërtimit që dëmton këtë pasuri natyrore dhe rrjedhimisht dhe gjendjen e zonës, ministrat Balluku e Klosi si dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla kanë premtuar se nuk do të ketë asnjë projekt që prek interesin publik. Ndonëse e paralajmëruar si një lidhje direkte nga ana e Kryeministrisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me sa duket dëgjesa me banorët është zhvilluar dje dhe është transmetuar sot.

Banori: Ne këtu mbushim ujë të pimë.

Balluku: Është një aksion që kemi marrë për të gjitha HEC-et.

Banori: Ju falënderojmë për ndërtimin e HEC-it të Banjës. Por nuk jemi të kënaqur. Unë e dua shqip llafin. Zonja Balluku do e bësh apo do e anulosh. Nëse e anulon do hysh në histori, nëse nuk e bën s’do e kesh mirë me ne.

Balluku: Këtu janë pezulluar punimet.

Klosi: Jemi këtu të dëgjojmë opinionin e njerëzve dhe të jemi në shërbim të tyre. Pezullimi i investimeve që realizuam dje është shprehje e opinionit publik.
Sot jemi në të satën dëgjesë për sa i përket pezullimit të disa iniciativave private për të cilat nuk kemi asgjë kundër por që duhet të shkojnë në të mirën e të gjithëve. Për ne grupi më i madh i interesit janë qytetarët.
Sot jemi këtu për të dëgjuar opinionin publik dhe çfarë njerëzit mendojnë. Ky kanion është një nga potencialet e këtij vendi.

Banor: Jam kundër. Ne do na ndërpritet uji për vaditje. Duam që nga ana juaj të merret seriozisht.

Përfaqësuesi i firmës: Ky projekt ka kaluar fazën e fizibilitetit. Ne kemi lënë dhe ujë për vaditje. Dhe po të duam ta ndërpresim këtë ujë ne kemi në kontratë të nënshkruar me subjektet dhe ministrinë ku është e përcaktuar qartë.
Nuk është e vërtetë që është prekur kanioni. Në asnjë rast vepra e marrjes nuk është e tillë që të krijojë diga. Vetë vepra është e kompozuar e tillë që të përballojë kuotat nga reshjet kur janë mbi. Jemi të gatshëm të respektojmë të gjitha kushtet që janë vënë. Jemi në respekt të gjitha procedurave që mund të na ngarkojë bashkia apo dhe banorët.

Balluku: Procedura është pezulluar sepse janë pezulluar të gjitha procedurat e HEC-eve nga dje. Ne jemi për mbrojtjen e interesit të publikut. Jemi sensitivë në këtë pikë. Jam e qartë se ju keni bërë procedurat. Nuk tha askush që është e paligjshme por këtu kemi një reagim të banorëve, jo të vogël sepse ka një impakt tek komuniteti. Ne jemi duke bërë disa punë të mira. na duhet të dëgjojmë mendimin e njerëzve.

Banor: Pse nuk është prezantuar një projekt për HEC-in që të dimë çfarë do bëhet. Askush nuk është kundër investimeve por duhet të ketë transparencë.

Banor: Futja e urave, hekura dhe beton do i marrë frymën natyrës jo vetëm Holtës por në gjithë Shqipërinë. Të shfrytëzohen pasuritë natyrore, uji por jo në dëm të interesave të komunitetit.

Balla: Dua që gjithë këtij populli këtu t’i kujtoj një fakt të ngjashëm. Të gjithë e dimë se në Sotirë ka një HEC tjetër, vetëm 40 metër larg ujëvarës. Edhe atëherë u protestua. Ne jemi ndryshe. I falënderoj të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj proteste për të sensibilizuar. Sikur 1% të bëjë dëm në këtë bukuri natyrore do jetë e patolerueshme që të ndërtohet.

Shumë gabim që kompania nuk ka bërë prezantim projekti. Faj kemi dhe ne pushteti vendor apo qendror që nuk e kemi bërë të qartë përfshirjen e njerëzve.
I dashur përfaqësues i kompanisë, këtë gjë duhet ta kishit bërë shumë më parë. banorët na thanë se bllokohet hyrja në kanion. Nëse bllokohet hyrja, dëmtohet kanioni.

Unë e kam tek protesta. Protesta ia vlejti sepse po të mos ishit bashkuar ju nuk do të ishim ne sot. Sigurisht që në emër të 7 deputetëve të qarkut të Elbasanit dhe grupit parlamentar të PS e falënderoj Belindën jo vetëm për vendimin që mori këtu në Holtë por një numër të madh HEC-esh që nuk janë vënë në funksion të ekonomisë së vendit. Një pjesë tjetër duhen verifikuar në çdo rast. Procesi i pezullimit do të shoqërohet nga një proces shumë sqimatar për të parë letër për letër dhe detaj më detaj të gjithë projektin me garancinë që një qime floku t’i preket kësaj bukurie do shkohet në anulim. Por çdo aset duhet të vihet në dispozicion të zhvillimit të ekonomisë. Ndaj ne duhet të gjejmë një ekuilibër midis nevojës së zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së bukurive natyrore. E gjithë vëmendja jonë është për ju, për banorët e Gramshit dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm dhe të zakonshëm të vendit. Të jeni të sigurt se ne do e mbajmë fjalën që dhamë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb