BRUKSEL- Ministrat e vendeve të Bashkimit Evropian do të takohen për të zgjidhur konfliktin për mënyrën sesi do të shpërndajnë 120 mijë azilkërkues, që kanë mbërritur kohët e fundit në Evropë. Disa vende të Evropës Qendrore po i rezistojnë thirrjes për pranimin e kuotave të detyrueshme.

Hungaria, e cila po përballet me një fluks të madh emigrantësh është shprehur se kufijtë evropianë janë të kërcënuara. Parlamenti hungarez ka kaluar dje një ligj të ri, i cili lejon ushtarët në kufi të qëllojnë me plumba gomë dhe të përdorin gaz lotsjellës kundër refugjatëve, që tentojnë të kalojnë gardhin.

Ardhja e qindra mijëra emigrantëve ka shkaktuar ndarje të thella mes Bashkimit Evropian.

Sakaq, Gjermania ka pezulluar linjat kryesore hekurudhore me Austrinë dhe Hungarinë deri më 4 tetor.

Ministrat e brendshëm të Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Çekisë, të cilët pritet të takohen sot, do të përpiqen të gjejnë konsensus, para bisedimeve emergjente që do të zhvillohen nesër mes liderëve të BE-së.

Sakaq, pas bisedimeve që u zhvilluan dje mes katër vendeve të lartpërmendura, të cilët kundërshtojnë kuotat, Çekia ka bërë të ditur se pavarësisht kësaj, janë absolutisht të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: