Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, ku fokusi kryesor ishte rritja e kapaciteteve të vendeve aleate dhe sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.

Vengu ka takuar në një moment edhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili ishte gjithashtu pjesëmarrës në takimin e NATO-s.

Në një postim në Facebook, Vengu theksoi se pritshmëritë janë të larta për një rol më të madh të vendeve evropiane në forcimin e mbrojtjes dhe marrjen e përgjegjësive të reja për sigurinë e kontinentit. Ai shprehu angazhimin e Shqipërisë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes.

Sipas tij, një industri ushtarake funksionale është thelbësore për prodhimin e armatimeve, municioneve dhe pajisjeve të nevojshme për aleancën. Gjithashtu, Vengu nënvizoi rëndësinë e vigjilencës së shtuar në Evropën Juglindore, sidomos në raport me Kosovën dhe zonën Adriatiko-Joniane, duke kërkuar përditësim të planeve strategjike të NATO-s për t’u përballur me kërcënimet e reja hibride.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb