TIRANE- Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste nuk do të flitet për ndryshime në kabinetin qeveritar, edhe pse gjatë verës u përfol se kryeministri Edi Rama do bëjë disa ndryshime nisur nga performanca në punë.

Verën e një viti më parë, pas fitores në zgjedhje, kryeministri Rama shpalli në Asamblenë Kombëtare kabinetin me të cilin do të qeveriste vendin, dhe me sa duket me të njëjtët njerëz do ta vijojë punën.

Ministrat nisën të ndjejnë ethet e largimit të mundshëm në prillin e këtij viti. Në analizën e punës së ekzekutivit që drejton, Rama nuk kurseu kritikat, duke theksuar se ka ende shumë për të bërë dhe se ndihej i pakënaqur.

Edhe pse asokohe nuk përmendi emra të përveçëm, ministrat kaluan disa muaj të nxehtë, të mbërthyer nga surpriza e ndonjë lajmi jo të mirë. Por shqetësimi i tyre iku bashkë me temperaturat e nxehta, të verës që po kalon.

Nëse flasim për vendimmarrje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ato do të lidhen me përbërjen e sekretarit të partisë, lëvizje të cilat nuk do të shkaktojnë furtunë as politike e as mediatike.

Asambleja e së premtes do të përqendrohet në organizimin e brendshëm të socialistëve, në funksion të zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. Gara elektorale konsiderohet shumë e rëndësishme për PS-në dhe vetë kryeministrin Rama, pasi do të matet pasha elektorale pas 5 vitesh në qeverisjen e vendit.

Për zgjedhjet e ardhshme, ministrat do të kenë shumë punë për të bërë në zonat ku do ngarkohen. E vetëm nëse rezultatet nuk do të jenë brenda pritshmërive, atëherë ata do mund të ndjejnë vërtetë ethet apo rrezikun për dorëzim të portofolit të ministrit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb