Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24, akuzoi qeverinë për përpjekje për të manipuluar votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Tabaku deklaroi se qeveria po përdor ambasadat dhe databazat e tyre për të kontrolluar votën e shqiptarëve jashtë vendit. “Përdorimi i ambasadave po ndodh, dhe grupi parlamentar i PD ka bërë një kallëzim në SPAK për këtë. Shpresoj që ky kallëzim të ecë përpara,” u shpreh ajo.
Ajo ngriti shqetësimin për ministrat që, sipas saj, përdorin kartat e identitetit të emigrantëve për të plotësuar portalin e KQZ-së, duke e quajtur këtë veprim një shkelje të rëndë të procesit zgjedhor dhe të të drejtave të votuesve.
Tabaku rikujtoi se, ndonëse është miratuar një ligj për mbrojtjen e të dhënave personale, praktikat e manipulimit të këtyre të dhënave vazhdojnë. “Në vitin 2021 u ekspozua si funksionon përdorimi i të dhënave personale në zgjedhje. Kjo është minimale krahasuar me atë që po ndodh sot,” tha ajo, duke vendosur në pikëpyetje transparencën dhe ndershmërinë e procesit.
Partia Demokratike ka kërkuar ndërhyrje nga institucionet përkatëse për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të pacenueshëm, veçanërisht për votën e diasporës. Përmes kallëzimit në SPAK dhe denoncimeve publike, opozita synon të kundërshtojë çdo tentativë për manipulim zgjedhor nga ana e qeverisë.
(BalkanWeb)