Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po përpiqen të gjejnë mënyra për të ulur tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe për të bindur Iranin që të zbatojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së.

Përpara takimit të sotëm në Bruksel, sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, tha se ka ende kohë për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore. Hunt tha se edhe pse Uashingtoni është aleati më i afërt i Britanisë, Londra nuk pajtohet me të për mënyrën e trajtimit të krizës me Iranin.

“Irani është ende larg zhvillimit të armës bërthamore”, u tha Hunt gazetarëve, përpara takimit me homologët evropianë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja bërthamore vitin e kaluar dhe ka rikthyer sanksionet e ashpra ekonomike kundër Iranit.
Trump ka thënë se marrëveshja nuk ka qenë e ashpër mjaftueshëm, sa për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore. Për rrjedhojë, Irani, në fillim të këtij muaji, ka nisur të pasurojë uranium përtej kufijve që parasheh marrëveshja bërthamore.

Me këtë veprim, Irani thuhet se synon t’iu bëjë presion fuqive evropiane që të gjejnë mënyra për t’ia lehtësuar sanksionet amerikane. Por, me uranium të pasuruar, Irani potencialisht mund të krijojë edhe armën bërthamore.

Të dielën, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij është i gatshëm të negociojë me Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni u jep fund sanksioneve ekonomike. Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e hodhi poshtë propozimin e Rohanit.

Britania, Franca dhe Gjermania, të cilat kanë mbetur pjesë e marrëveshjes bërthamore – ashtu si edhe Rusia dhe Kina – u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që “të marrin në konsideratë pasojat e mundshme të veprimeve të tyre”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb