JAPONI- Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka nisur sot vizitën zyrtare në Japoni ku pritet të zhvillojë një sërë takimesh të nivelit të lartë. Qëllimi i kësaj vizite është intensifikimi i dialogut politik, rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe nxitja e kompanive dhe biznesit japonez për të investuar në vendin tonë.

Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm japonez Fumio Kishida u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dhe ekonomike dhe u theksua ruajtja e dialogut politik në nivelet më të larta të mundshme. Ministri Bushati vlerësoi asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, duke theksuar se “mbështetja e pandërprerë e Japonisë në kuadër të ndërtimit dhe fuqizimit të kapaciteteve të administratës shtetërore, është një histori suksesi”.

Gjatë takimit, dy ministrat biseduan për hapat që mund të ndërmerren drejt hapjes së ambasadës së Japonisë në Tiranë. Ndër çështjet e tjera që u diskutuan ishin edhe lehtësimi i regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, dialogu i strukturuar politik dhe bashkërendimi diplomatik midis dy institucioneve përkatëse.

Gjithashtu, ministrat e jashtëm të dy vendeve diskutuan mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare si dhe për rakordimin e qëndrimeve mes Shqipërisë dhe Japonisë për çështje të sigurisë ndërkombëtare.

Ministri Bushati bëri një ekspoze të angazhimeve të qeverisë në kuadër të reformave të brendshme për forcimin e shtetit ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe rolin aktiv të Shqipërisë në rajon.

Në kontekstin ekonomik, Ministri Bushati theksoi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e kompanive japoneze për të investuar në vendin tonë.

Gjatë ditë së parë të kësaj vizite, Ministri Bushati është takuar edhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Japonisë, Nabutaka Machimura; me Grupin Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri dhe me  zv. Presidentët e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), Masakazu Ichikaëa dhe z. Domichi Hideaki.

Në takimin me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit, Nabutaka Machimura dhe me Grupin Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri, u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin parlamentar si një nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit dypalësh.

Ministri Bushati falënderoi parlamentarët japonezë për rolin e tyre aktiv në drejtim të promovimit të Shqipërisë dhe të tërheqjes së investimeve japoneze në Shqipëri në fusha me interes reciprok.

Një nga takimet e rëndësishme ishte edhe ai me Zv/Presidentët e JICA-s, Ichikaëa dhe z. Hideaki.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: