TIRANË- Edhe pse është në burg për mashtrim me skemën e ilaçeve të rimbursueshme në vlerë 2.2 milion euro, Nadir Çausholli, pronar i një depoje të madhe farmaceutike vlerësohet nga qeveria si sipërmarrës i suksesshëm dhe taksapagues i rregullt. Në një letër të firmosur nga Ministri i Financave, Shkëlqim Cani drejtuar kompanisë së Çaushollit por në emër të babait të tij, shprehej mirënjohja ndaj kësaj kompanie duke e cilësuar këtë si model të ndershëm dhe të rregullt të sipërmarrjes. Letra u dërgua në përfundim të aksionit kundër informalitetit.

Burime nga ministria e financave thanë për Neës24 se letra u dërgua nga ministri dhe me firmë të tij për rreth 1100 biznese të mëdha mes të cilave dhe kompania e Çaushollit ‘Omega Pharma”. Letra mbërriti në kompaninë e tij në 17 nëntor të këtij viti ndërsa Nadir Çausholli ishte arrestuar 18 ditë më parë.

“Unë dëshiroj jo vetëm t’iu falënderoj për kontributin që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni përmes taksave që paguani, por edhe t’ju inkurajoj që të vazhdoni të respektoni institucionet shtetërore. “Thuhet mes të tjerash në letrën e ministrit Cani drejtuar Çaushollit. Nadir Çausholli u arrestua më 31 tetor të këtij viti, pasi nga hetimet rezultoi se përmes kompanisë së tij ka arritur të përfitojë me anë të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “mashtrimit” me pasoja të rënda, rreth 2.2 mln euro nga fondi i ilaçeve të rimbursueshme. Për këtë skemë mashtrimi, ai ndodhet në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” për dy akuza.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: