Ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi ka dhënë një lajm të mirë për fermerët e Shqipërisë. Çuçi tha se Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht.

Çuçi u shpreh se sipas këtij vendimi, fermerët do të përfitojnë një kompensim në vlerën 100 lekë të vjetra për litër qumështi të shitur.

“Këshilli i Ministrave në mbledhjen e ditës së sotme vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht. Sipas këtij vendimi fermerët do të përfitojnë një kompensim në vlerën 100 lekë të vjetra për litër qumështi të shitur. Nuk do të ketë kufizime për numrin minimal të krerëve që mbarështon ferma.

Për të përfituar kompensimin fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore.  Aplikimet do të fillojnë prej datës 22 Prill pranë Agropikave dhe zyrave të Bujqësisë në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët. Kjo masë e marrë është një mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët e sektorit të blegtorisë dhe është gjithashtu një reagim në kohën duhur i shqetësimit të tyre pas ndryshimit të skemës së kompensimit të TVSH-së nga 20% në 6%”, tha ministri Çuçi.

Blendi Çuçi shtoi se një masë e tillë do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe formalizimin e sektorit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit në vend.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb