Nga: Darina Tanushi
Ministri i Pushtetit Vendor dhe Koordinatori Kombëtar për Antikorrupsionin, Bledi Çuçi deklaroi dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se koalicioni me LSI-në nuk ka arsye të mos vazhdojë edhe në zgjedhjet e 2017-ës. I pyetur nga “GSH” në lidhje me votën e të dënuarve, Çuçi u shpreh se mendimi i tij personal është që “edhe nëse ndodh që ata përfshihen në votime, sigurisht është edhe më mirë akoma, sepse në gjykim, e drejta për të votuar duhet të hiqet vetëm me vendim gjykate për raste të caktuara, dhe jo me një ligj për të tërë në mënyrë horizontale”.

Zoti ministër, një nga ligjet më të rëndësishme që ju si dikaster keni kaluar është ai për sinjalizuesit, ose siç njihet ndryshe “bilbilfryrësit”. A ka filluar zbatimi i tij? A kanë filluar të ndihen efektet e para?
Pa diskutim që është një nga ligjet më të rëndësishme që parlamenti ka kaluar dhe që lidhet me luftën kundër korrupsionit, për dy arsye: e para, sepse sigurisht që ky mekanizëm ligjor krijon kushtet e favorshme për të rritur numrin e denoncimeve të zyrtarëve publikë, por edhe punonjësve në bizneset private për të denoncuar çdo akt korruptiv, me të cilin ata përballen gjatë ushtrimit të detyrës; dhe e dyta, sepse është një legjislacion i ri edhe për botën perëndimore apo për vendet e zhvilluara. Tani, me zbatimin mund të them që jemi në një fazë intensive, pasi me miratimin e ligjit ne kemi miratuar edhe aktet nënligjore që duhej të dilnin, në funksion të tij, dhe jemi në fazën intensive të krijimit të strukturave që do merren pranë çdo institucioni publik dhe privat, për ata që kanë mbi 80 punonjës që do merren me trajtimin e çdo sinjalizimi që do vijnë nga sinjalizuesit në organizata. Është një proces që po koordinohet nga unë si koordinator kombëtar kundër korrupsionit, por sigurisht që pjesën më të rëndësishme e ka Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, i cili është përcaktuar edhe në ligj si një hallkë thelbësore për sa i përket zbatimit të ligjit, pasi Inspektorati do luajë rolin e një organizmi të nivelit të dytë për sa i përket trajtimit të sinjalizimeve. Pra, thënë ndryshe, nëse një sinjalizues sinjalizon brenda organizatës së tij për një rast korruptiv te struktura që ngrihet posaçërisht për këtë punë dhe që po ngrihen tani nëpër institucione dhe që nuk merr zgjidhje dhe mbyllet nga kjo strukturë, atëherë kemi lënë të drejtën që të shkojë në një institucion të pavarur nga institucioni ku ai është për të vazhduar ndjekjen, hetimin administrativ apo për të çuar denoncimin e tij, dhe ky institucion është ILDKP-ja.

Përse ky ligj prek edhe sektorin privat?
Sepse korrupsion bëhet edhe në bizneset private, sepse shkelje ligjore, shmangie nga taksat ka edhe në bizneset private. Ndaj është gjykuar që të jenë bizneset që kanë një lloj aktiviteti, mbi të cilat presupozohet të krijohet një klimë e favorshme për të bërë një korrupsion apo një akt tjetër që është në shkelje të ligjit. Dhe, sa për informacion, mund t’ju them një gjë shumë interesante, që gjatë periudhës së diskutimit të ligjit me të gjithë aktorët e interesit, me shoqërinë civile, me median, me institucionet publike dhe me biznesin, mund t’ju them që takimi që bëmë me biznesin ka qenë takimi më produktiv për sa u përket mendimeve që u hodhën në tryezë. Sepse në takimin me biznesin u përfaqësua kryesisht nga biznese të mëdha që janë këtu dhe që janë filiale të bizneseve të huaja me seli në Londër, në Berlin e kështu me radhë, kompani celulare, banka të mëdha, dhe përfaqësuesit e tyre ishin përfaqësues të këtyre strukturave që merren me sinjalizimet në organizatat e tyre. Sepse ata i kanë tashmë të ngritura, për shkak të standardit që imponon kompania e madhe mëmë në Perëndim. Dhe janë pikërisht këto biznese që dhanë edhe imputet me vlerë në përmirësimin e ligjit. Dua të them që, kjo është një praktikë që në botë sot haset rëndom, dhe bizneset e mëdha e kanë tashmë të implementuar këtë strukturë brenda tyre.

Qysh në fillim të punës suaj hapët një portal antikorrupsion. A mund të na thoni sot se sa rezultativ ka qenë; sa prej denoncimeve kanë shkuar në prokurori?
Numri i denoncimeve është me mijëra. Shumica nuk lidhet drejtpërdrejt me çështje korruptive. Ka shumë raste që janë çuar në prokurori. Nuk mund t’ju them një shifër të saktë, por mund t’ju them se një pjesë e tyre janë mbyllur nga vetë prokuroria dhe shumë pak raste kanë një vendim gjykate. E gjitha kjo tregon se nuk ka funksionuar pikërisht sistemi i drejtësisë. Për këtë është shumë e rëndësishme që procesi i vetingut të nisë zbatimin menjëherë, për të ndryshuar pikërisht sistemin e drejtësisë.

Kjo qeveri ka ndërmarrë reforma tejet drastike. A e shikoni të vështirë përballjen në zgjedhjet e 18 qershorit, për shkak të ndoshta një lloj konsumimi prej këtyre reformave?
Bie dakord me ju, që shpeshherë reformat kanë qenë edhe të forta, por ato janë ndërmarrë pikërisht në të mirë të vendit. Ndaj ne shkojmë në këto zgjedhje jo vetëm me reformat e ndërmarra, por edhe me rezultatet e para nga zbatimi i reformave që janë rezultate në dobi të qytetarëve shqiptarë. Rezultatet e para i shohim dhe i kemi edhe në këtë fund viti. Gjithë Fondi i Solidaritetit që ne po ndajmë me shqiptarët, me pjesën më vulnerabël të shoqërisë shqiptare, me pensionistë, familje në nevojë, janë të gjitha para që vijnë si efekt i reformave të ndërmarra nga mazhoranca në këto tri vite.

Në këto zgjedhje kemi një problematikë: për shkak edhe të ligjit të dekriminalizimit, një pjesë e madhe e të dënuarve nuk do të votojnë. A do të ketë nga ana e mazhorancës ndonjë rregullim për këtë; a ka pasur një reflektim apo diskutim?
Unë nuk jam shumë i familjarizuar me çështjen e votimit të të dënuarve. Ai është një qëndrim që ligjvënësi në momente të caktuara e ndërmerr për arsye të caktuara. Por, për mua, nuk ka ndonjë ndjeshmëri specifike në këtë çështje. Edhe nëse ndodh që ata përfshihen në votime, sigurisht është edhe më mirë akoma, sepse në gjykim, e drejta për të votuar duhet të hiqet vetëm me vendim gjykate për raste të caktuara, dhe jo me një ligj për të tërë në mënyrë horizontale. Po kjo është një çështje personale e imja dhe nuk lidhet fare me qëndrimet politike që ndërmerr një mazhorancë apo një parlament i tërë. Me sa di unë, ai ka qenë një propozim i Partisë Demokratike, por, derisa është votuar dhe shkruar ashtu, ne duhet ta zbatojmë.

Ju jeni i deleguar i Partisë Socialiste në Gjirokastër. Takimet tuaja me bazën janë të përjavshme. Si duket gjendja e elektoratit tuaj atje, a ka probleme të organizimit, ndoshta të trashëguara?
Jo, nuk ka asnjë problem të trashëguar. Mendoj që qarku i Gjirokastrës, ashtu sikundër e gjithë Shqipëria, ka përfituar investime që lidhen me jetën e komuniteteve më shumë se ç’ka përfituar të paktën në 15 vitet e fundit si qark. Aq më tepër pastaj, në Gjirokastër është paketa më e madhe e investimeve në këto 3 vite, e bërë në 25 vitet e fundit. Ne po e rikthejmë Gjirokastrën në lavdinë e dikurshme. Një projekt shumë ambicioz është ai për rehabilitimin e 10 blloqeve të Qafës së Pazarit – perlës së Shqipërisë, e cila ka filluar si punë. Do rehabilitojmë fasadat e gjithë pjesës së poshtme të Gjirokastrës, të ndërtuar para viteve 1990 dhe pas viteve 1990, me atë estetikë të post ‘90-ës të Shqipërisë që e vuajmë edhe sot e kësaj dite në të gjithë Shqipërisë, por do bëjmë një rehabilitim të fasadave në mënyrë që ta harmonizojmë me të gjithë pjesën tjetër të Gjirokastrës. Po bëjmë investime shumë të rëndësishme në infrastrukturë brenda qytetit dhe do ta kthejmë në një zonë pedonale, pjesën më të bukur, Qafën e Pazarit, bashkë me 3-4 blloqet që e rrethojnë Qafën e Pazarit. Dhe, të gjitha këto do të kthejnë Gjirokastrën e lavdishme të shekujve të mëparshëm dhe në një destinacion absolut të turizmit, jo vetëm vendor, të turizmit të brendshëm, por edhe në thithjen e turistëve të huaj, për të ardhur e për të parë një nga monumentet që është pjesë e trashëgimisë kulturore sipas UNESCO-s. Projekti ynë synon të kthejmë gjirokastritët në Gjirokastër dhe të mbajmë gjirokastritët në Gjirokastër, sepse është një nga qytetet që po zbrazet me shpejtësi nga njerëzit. Kjo pasi nuk iu ofrua asnjë alternativë njerëzve të jetojnë e të punojnë në atë qytet. Pikërisht duke e kthyer Gjirokastrën në lavdinë e dikurshme, duke kthyer njerëzit, institucionet e shërbimet, duke e bërë qendër turistike, ne do arrijmë të mbajmë gjallë me njerëz dhe jo vetëm me gurë këtë perlë të Shqipërisë.

Keni bisedime me LSI-në nëse koalicioni mes jush do të vazhdojë, apo është ende herët për ta thënë këtë?
Kjo është një çështje politike. Ka struktura të posaçme brenda Partisë Socialiste që merren me këtë lloj negociate. Deri tani dhe deri në fund të mandatit ne jemi në koalicion, sepse është një koalicion për katër vite, e unë mendoj që ka funksionuar shumë mirë deri më sot. Të gjitha produktet e kësaj qeverie janë produkte të mazhorancës, të koalicionit. Kështu që mendoj që, përderisa ky partneritet ka funksionuar më së miri, nuk ka një arsye të veçantë për t’u prishur apo për të përfunduar. Them që, aq më tepër edhe programet tona në pjesën më të madhe përputhen; ky është një element shumë i rëndësishëm për të garantuar një qëndrueshmëri në koalicion. Kështu që, unë nuk shoh ndonjë arsye të veçantë që ky partneritet të prishet.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: