TIRANE- Ashtu siç ishte paralajmëruar, ministri i Shtetit për Çështje Evropiane në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth ka zhvilluar sot një takim me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Bushati dhe ministri gjerman folën për reformat dhe kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria në kuadër të çeljes së negociatave me BE.

Ministri gjerman dha një mesazh të qartë për politikën shqiptare, që ajo të marrë përgjegjësitë që i takojnë në mënyrë që sipas tij të mos rrezikojnë rrugën e vendit drejt BE. Apeli vjen pak orë para seancës së fundit të këtij sesioni parlamentar ku do të jetë shansi i fundit për të zëvendësuar në shtator njerëzit e drejtësisë të larguar me vetting me magjistratë të rinj.

“Fakti që deri më tani 14 gjykatës janë shkëputur nga sistemi tregon se procesi i vettingut është në rrugën e duhur. Në qoftë se përmes një procesi të ndershëm dhe transparent njëkohësisht edhe tepër strikt mbërrijmë në momentin kur na duhet të pushojmë prokurorë apo gjykatës të caktuar atëherë do të duhet që në një moment të mëvonshme të kemi edhe gjykatës e prokurorë të rinj të cilët me ekspertizën e tyre do të duhet të mbushnin këto boshllëqe. Pikërisht ky proces kaq i vështirë por mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë kërkon nga njëra anë një masë të madhe të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit nga ana e qeverisë por po kaq e madhe duhet të jetë ndërgjegjësimi edhe nga ana e opozitës. Ndaj do të dëshiroja të shfrytëzoja rastin t’ju drejtoja një apel të gjithë politikanëve të Shqipërisë të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të mos rrezikojnë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian”, tha Roth.

Ndërkohë, ministri Bushati pohoi se ky vit nuk është i lehtë për Shqipërisë, e cila duhet të punojë për plotësimin e kushteve për BE.

“Dëshiroj të falënderoj personalisht juve dhe qeverinë gjermane, për mbështetjen e pakursyer që i keni dhënë Shqipërisë, jo vetëm në procesin e vështirë, por edhe për diskutimet dramatike që u zhvilluan në Luksemburg. Vendi juaj ishte pjesë e asaj maxhorance të madhe të BE për nisjen e bisedimeve te Shqipërisë. Hahn sëbashku me qeverinë Shqiptare hodhi hapin e parë në procesin e skrining, dhe dua të përfitoj nga rasti për të nënvizuar rëndësinë e madhe që ka ky proces. Ndamë pikëpamjen se viti që është para nesh nuk është i lehtë, por një rrugë e vështirë”, tha Bushati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: