TIRANE– Gjatë një deklarate për mediat me ministrin shqiptar Ditmir Bushati në kuadër të vizitës në Tiranë, ministri i Shtetit për Çështje Evropiane në Ministrinë e Jashtme gjermane Michael Roth ka folur për rekomandimin e KE për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

Michael Roth tha se Shqipëria mund të mbështetet tek Gjermania dhe se rruga për në BE është e vështirë. Ai tha se Gjermania po verifikon arritjet e Shqipërisë dhe do dalë me një qëndrim në të ardhmen për këtë çështje.

“Gjëja më e rëndësishme është se Shqipëria mund të mbështetet në ndihmën dhe përkrahjen e Gjermanisë. Rruga e Shqipërisë në BE është e vështirë. Ne po verifikojmë arritjet e Shqipërisë dhe do të pozicionohemi në të ardhmen për çeljen e negociatave për anëtarësimin. Argumentet për çeljen e negociatave nuk mungojnë, perspektiva për në BE është në interesin jo vetëm të qeverisë shqiptare, por edhe tonin, dhe duhet tua shpjegojmë këtë qytetarëve tanë. E mendoj mjaft mirë se çfarë u është dashur të realizojnë qytetarëve tuaj.

Duhet të bëjmë përpjekje të mëtejshme, shteti ligjor, drejtësi e pavarur që do të ishin premisa për investime të huaja të mëtejshme në vendin tuaj. Pres prej qeverisë që të vijojë politikën e reformave, pres edhe prej opozitës të ndërmarrë përgjegjësi për të kontribuar në këto procese. Dje bisedova me Bashën, një bisedë mjaft e mirë, sado që të ketë konflikte në politikat e brendshme që është shenjë e një demokracie të gjallë, në çështje të tilla duhet të kalohet përtej konflikteve për një konsensus të përgjithshëm”- tha ministri gjerman.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: