Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere ka thënë se shqiptarëve nuk do t’u jepet azil, por ata mund të shkojnë për të punuar si emigrantë në Gjermani. Duke folur për valën e madhe të refugjatëve me të cilën po përballet vendi i tij, ai tha se Bashkimi Evropian duhet të ngrejë një kamp refugjatësh në Turqi, ku kërkesat e emigracionit mund të përpunohen edhe aty.

Në një intervistë për “Euronews”, ai ka propozuar një mënyrë për të lehtësuar gjendjen e vështirë të refugjatëve, ndërsa kjo shihet edhe si një zgjidhje për të adresuar krizën në kufi me të cilën po përballen vendet jugore të BE­së. “Këshilli i Evropës, si dhe Samiti i BE­së kanë vendosur që në Greqi dhe në Itali do të jenë të ashtuquajturat “pikat e nxehta”. Këto janë zona të mëdha për pranim, ku bëhen kontrollet e para për të parë nëse azili do të jepet apo jo. Ne gjithashtu kemi nevojë për më shumë bisedime intensive me Turqinë. Turqia është duke bërë gjëra të mëdha në kufi me Sirinë, kur vjen puna për t’u përballur me refugjatët. Megjithatë, në zonën e Izmirit, ka mijëra e mijëra njerëz, ndoshta qindra e mijëra që presin të shkojnë në Evropë. Edhe atje, unë mendoj se ne mund të kemi nevojë të përdorim fondet evropiane për të ndërtuar një kamp të madh për refugjatët”,­ sqaroi ai.

Euronews: Ministria juaj ka publikuar një video sensibilizuese për të parandaluar kërkesat për azil nga Ballkani në Gjermani. Cila është ideja e saj?

Thomas de Maiziere: “Nëse një vend ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ose tashmë është një partner i NATO­s, në qoftë se respekton demokracinë, atëherë nuk ka arsye që shtetasit e tij të kërkojnë azil në Evropë. Kjo nuk është e pranueshme, në fakt kjo është e dënueshme”.

Euronews: Këtu përfshihet edhe Kosova?

Thomas de Maiziere: “Po, Kosova dhe Shqipëria gjithashtu. Qeveritë e tyre janë duke na kërkuar për të bërë gjithçka në mënyrë që të rinjtë të mos largohen nga vendi i tyre në këtë mënyrë. Dhe ne i themi: Ju nuk duhet të vini këtu të kërkoni azil, kjo nuk do të zbatohet për ju, por ju mund të vini këtu për të punuar, atëherë ju vini si migrant”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb