GJENEVË – Në Pallatin e OKB-së në Gjenevë, ka nisur punimet Sesioni i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ku po merr pjesë edhe delegacioni i Shqipërisë. Në këtë Sesion po flitet për zhvillimet dramatike në Ukrainë dhe në Palestinë. Në të do flitet edhe për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, të drejtat e të cilëve janë shkelur nga Beogradi zyrtar.

Shefi i diplomacisë shqiptare Igli Hasani i shoqëruar nga Vasilika Hysi, ambasadore e re e Republikës së Shqipërisë në OKB po ndjekin me përkushtim Sesionin e 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij ka vënë theksin tek Samiti i 28 shkurtit në Tiranë, për të cilin tha se është tregues se Shqipëria lufton për të drejtat e njeriut. Hasani foli edhe për luftën në Ukrainë, duke thënë se autorët e krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Shqipëria si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën, gjatë mandatit të saj për 2024-2026. Shqipëria ka prioritet mbajtjen para përgjegjësisë të autorëve të krimeve të rënda, luftimin e mosndëshkimit dhe parandalimin e shkeljeve të tjera të të drejtave themelore. Le të qëndrojmë në solidaritet me ata që po luftojnë për liri dhe drejtësi dhe le të punojmë së bashku për të ndërtuar një botë, ku çdo individ mund të kuptojë potencialin e tij të plotë dhe të jetojë me dinjitet dhe respekt, tha sot në Gjenevë shefi i diplomacisë shqiptare Igli Hasani, citon gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch.

Hasani ne vazhdim ka pohuar se: « Vendi ynë merr pjesë në takim si vend anëtar i KDNJ-së me një mandat 3-vjeçar 2024-2026. Është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut”.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Ministri Hasani ka zhvilluar një aktivitet të dendur politik dhe diplomatik, përmes një sërë takimesh me zyrtare të lartë të OKB-së dhe personalitete botërore. Ai është pritur nga Komisioneri i Lartë i OKB-së i të Drejtave të Njeriut, do të takohet me stafin shqiptar të punësuar pranë OKB në Gjenevë, si me ekipin e Misionit të Republikës së Shqipërisë.

“Kënaqësi të takoja Komisionerin e Lartë për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk. Ritheksova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për mandatin e tij dhe përgëzova përpjekjet në avancimin e të drejtave të njeriut. Si anëtarë të Këshillit, ne presim të bashkëpunojmë për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme, nxitjen e dialogut, si dhe forcimin e rolit të Këshillit”, ka deklaruar ministri Hasani pas takimit me Volker Türk, Komisionerin e Lartë për të Drejtat e Njeriut.

Ministri Hasani në emër të Shqipërisë në takimin e posaçëm të Grupit të Miqve për Llogaridhënien për Ukrainën dha mesazhe te qarta kundër luftes, si dhe kundër dhunës në Ukrainë.

“Në takimin e Grupit të Miqve të Përgjegjshmërisë për agresionin kundër Ukrainës, rikonfirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në luftën e saj për liri, drejtësi dhe paqe. Ne përgëzojmë iniciativat për llogaridhënien nga organizatat, duke përfshirë edhe përpjekjet e autoriteteve të Ukrainës për të ekspozuar krimet e luftës, shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare nga Rusia. Dinjiteti dhe drejtësia për viktimat e panumërta të kësaj lufte duhet të rikthehet dhe përgjegjësit duhet të japin llogari”, u shpreh Hasani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: