Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi aplikoi sot për kartën e re ID në njësinë nr.5 në Tiranë. Çuçi me këtë rast u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të cilëve u skadon karta ta rinovojnë sa më shpejt pasi është i vetmi mjet me të cilin mund të identifikohen si zgjedhës më 25 prill.

Zyrat për aplikim do jetë të hapura deri më 25 prill teksa me një kartë ID përfitohen dhjetëra shërbime online në portalin e-Albania.

“Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve që iu ka skaduar dokumenti i identitetit të shpejtojnë për të marrë dokumentin e ri. Karta e identitetit është çelësi kryesor që mundëson që shqiptarët të marrin dhjetëra shërbime online që ofrohen përmes portalit e-Albania. Këto shërbime përfitohen vetëm duke pasur një dokument identiteti të vlefshëm. Përveç kësaj dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve që të aplikojnë për dokument identifikimi, nëse iu ka skaduar, sepse në zgjedhjet e 25 prillit ky dokument do të jetë i vetmi për identifikimin e zgjedhësve”, u shpreh ministri Çuçi.

Përsa iu përket shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut, janë hapur 6 zyra të reja aplikimi pranë konsullatave tona në disa vende europiane, në mënyrë që ata të aplikojnë për rinovimin e kartës së identitetit. Aplikimin për kartë identiteti qytetarët mund ta bëjnë në çdo zyrë të kompanisë në Shqipëri pavarësisht zonës ku banojnë. Për të mos krijuar radhë nëpër zyra gjatë aplikimit, ju mund kryeni rezervim online në portalin e-Albania.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb