Ministri i Punëve të Brendshme i Francës, Gerald Darmanin, ka bërë të ditur se vendi i tij në dy vitet e fundit ka dëbuar mbi 2.700 emigrantë të huaj për përfshirje në aktivitete kriminale.

Për radion franceze ‘RTL’, ministri Darmanin tha se gjithsej 2.751 shkelës të huaj janë dëbuar, përfshirë 900 për dhunë në familje. Ai njoftoi se shumica e të dëbuarve, veçanërisht në gjysmën e parë të vitit 2022, janë nga vendet afrikane.

Darmanin tha se zyra e tij refuzoi aplikimet për leje qëndrime të afër 72 mijë të huajve për shkak të dosjeve kriminale të tyre.

Çështja e shkelësve të huaj sërish është në qendër të vëmendjes pasi Darmanin të dielën u kritikua për dëbimin e një shtetasi të huaj emigrant për shkak të një sulmi të dyshuar në Lion.

I dyshuari u kap javën e kaluar nga policë civil pasi dyshohej se kishte rrëmbyer një zinxhir ari në lagjen Guillotiere. Situata u përshkallëzua shpejt në një përleshje pasi disa civilë u përpoqën të lirojnë të dyshuarin, i cili u shtri në tokë nga policia që ishin në pritje të përforcimeve shtesë.

Megjithëse zyra e prokurorit të qytetit Lion deklaroi se emigranti nuk ishte fajtor, ministri Darmanin ka qenë i vendosur në urdhrin e tij të dëbimit, duke pretenduar se i dyshuari ishte shkelës në përsëritje.

“Shkelësit e huaj nuk kanë vend në Francë”, tha Darmanin.

Lagja Guillotiere, kryesisht e banuar nga familje të margjinalizuara me ngjyrë dhe emigrantë, shpesh bastiset nga policia. Sipas një raporti nga ‘Le Monde’, që nga 1 janari, 700 operacione policore janë zhvilluar në këtë zonë.

Emigrantët në “kushte të parregullta”, të cilët anë pa dokumente ose nuk kanë marrë azil, i nënshtrohen ngacmimeve të rregullta nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Ata nuk marrin strehim apo mbështetje financiare nga shteti, ndryshe nga refugjatët e dokumentuar. Ata janë të përfshirë vazhdimisht në një lojë me autoritetet në përpjekje për të qëndruar në Francë ose për të provuar të arrijnë në Britani duke kaluar Kanalin Anglez.

Qindra emigrantë vriten çdo vit duke u përpjekur t’i shpëtojnë zbatimit të ligjit ose duke ndërmarrë kalime të rrezikshme për të arritur në një vend të sigurt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb