Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se qytetarët serbë në komunat veriore janë të kushtëzuar që ta dalin në protesta e organizime të drejtuara nga subjekti politik serb, Lista Serbe.

“Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë”, ka shkruar ministri Sveçla duke iu referuar fotografive të publikuara nga Radio Evropa e Lirë në të cilat disa qytetarë serbë shihen duke u nënshkruar në një listë në qytetin e Zveçanit.

Ministri Sveçla tha se këto veprime duhet të ndalen në mënyrë që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime.

“Serbët e Kosovës në vazhdimësi nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre.
Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.
Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, shkruan Svecla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: