KOSOVË- Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Dr. Frank-Walter Steinmeier, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

MPJ kosovare bëri të ditur se ministri Steinmeier do të zhvillojë takime me krerët shtetërorë të Kosovës me të cilët do të diskutojnë tema të ndryshme me interes bilateral.

Ministri i jashtëm gjerman Steinmeier do të takohet fillimisht me kryetaren e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e më pas edhe me kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe njëherësh ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi.

Steinmeier do të vizitojë edhe Beogradin, ndërsa shtypi i sotëm kosovar e citon sot në një kryetitull se “nga Kosova dhe Serbia kërkohet gatishmëri për kompromis”.

Në procesin e dialogut është arritur progres historik mes Kosovës dhe Serbisë, por ka akoma çështje të hapura, të cilat tani duhen sqaruar shumë shpejt, thotë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili të martën viziton Beogradin e Prishtinën dhe “do t’i inkurajojë qeverinë serbe dhe atë kosovare të shfaqin gatishmërinë e nevojshme për kompromis dhe vendosmëri”.

Kështu ka thënë Steinmeier në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, në prag të vizitës së tij, në të cilën përveç për procesin e dialogut, flet edhe për njohjet e munguara të pavarësisë së Kosovës nga ana e pesë shteteve të Bashkimit Evropian, por edhe për situatën e vështirë ekonomike në Kosovë dhe rrugëdaljes prej saj.

Steinmeier po ashtu ka shprehur edhe besimin e Qeverisë në Berlin se Parlamenti i Kosovës do të votojë në favor të krijimit të Gjykatës Speciale për të gjykuar rastet nga Raporti i Dick Marty-it, ndërsa në lidhje me dyshimet për korrupsion dhe politizim të EULEX-it, ka theksuar se Berlini angazhohet për sqarim pa rezerva të këtyre akuzave.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb