NGA: ERL MURATI*
Në kohën e betimit ishte 27 vjeç: ministri më i ri në historinë e Austrisë dhe ministri i Jashtëm më i ri i një vendi të Bashkimit Europian”. Kështu shkruhet në një biografi informale të Sebastian Kurz, i zgjedhur shefi i diplomacisë austriake në vitin 2013. Përfaqësues i një prej vendeve më dashamirëse ndaj Shqipërisë, Kurz flet për rrugët se si Shqipëria mund të afrohej me BE-në. “Nuk ka asnjë dyshim, që pa reformën në drejtësi, afrimi me Bashkimin Europian do të mbetet i bllokuar. Nevojitet një minimum respekti dhe një marrëdhënie pune e qenësishme mes përfaqësuesve të lartë të palëve”, thotë Sebastian Kurz, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”.

Z. ministër, në takimet që keni pasur me homologun shqiptar kohë më parë, keni vlerësuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera. A mendoni se ka hapësira ku mund të thellohen këto marrëdhënie?
Edhe pse marrëdhëniet tona dypalëshe janë shumë të mira, ka gjithmonë hapësira për t’i përmirësuar ato. Në varësi të fushës së cilës i referohemi, mes Shqipërisë dhe Austrisë ka akoma potencial për rritjen e bashkëpunimit. U referohem këtu veçanërisht marrëdhënieve ekonomike. Për mua është mjaft e rëndësishme që angazhimi austriak në fushën ekonomike në Shqipëri të forcohet edhe më tej. Nisur nga kjo, vizita ime e fundit në Tiranë kishte në fokus edhe bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik. Në shkurt të vitit 2016 arritëm të nënshkruajmë një Memorandum Mirëkuptimi mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit. Edhe pse që prej ndërrimit të mijëvjeçarit angazhimi austriak në Shqipëri është rritur ndjeshëm, me siguri që në këtë fushë ekziston mundësia të bëhet më shumë, veçanërisht nëse si njësi matëse marrim investimet austriake në vendet e tjera të rajonit, si psh. në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi. Me ndihmën e reformës në drejtësi dhe si rrjedhojë edhe të një klime më të mirë biznesi, do të mund të shfrytëzohet një pjesë e këtij potenciali. Një nga aspiratat e Shqipërisë është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian. Miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë përsëritur se miratimi i reformës në drejtësi do ta afronte Shqipërinë me Europën.

Besoni se kjo është e mundur?
Nuk ka asnjë dyshim që pa reformën në drejtësi, afrimi me Bashkimin Europian do të mbetet i bllokuar. Por pavarësisht nga “efekti anësor” i afrimit të vendit me Bashkimin Europian, afrim ky i mbështetur fort nga Austria, ata që do të përfitojnë më shumë nga kjo reformë janë shqiptarët, të cilët punojnë në këtë vend. Dhe është pikërisht ai 95 përqindësh i njerëzve, të cilët po e presin me padurim reformën dhe që aktualisht nuk kanë besim te drejtësia. Tani me rëndësi është shpërbërja e rretheve të influencës. Më pak të interesuar për këtë gjë do të ishin kundërshtarët e reformës, pasi shumë prej tyre do të kishin shumë për të humbur me krijimin e një drejtësie profesionale. Për këtë është e nevojshme gatishmëria për kompromis e partive politike, aftësia dhe vullneti për të tejkaluar kundërshtitë e politikës së brendshme dhe për të punuar së bashku për një të ardhme sa më të mirë të mundshme për vendin. Prandaj nevojitet një minimum respekti dhe një marrëdhënie pune e qenësishme mes përfaqësuesve të lartë të palëve. Do të uroja që politikanët drejtues të Shqipërisë ta shfrytëzonin këtë mundësi në të mirë të qytetarëve të vendit të tyre.

Korrupsioni është një plagë e vjetër në Shqipëri dhe pandëshkueshmëria e këtij krimi përbën shqetësim kryesor për popullin shqiptar. Sa e rëndësishme është lufta kundër korrupsionit për një vend që synon të bëhet pjesë integrale e familjes së Europës?
Që t’i zgjidhësh problemet, më parë është e rëndësishme t’i njohësh ato: korrupsioni është ndër problemet më thelbësore të vendit, për këtë arsye është edhe një ndër pesë pikat kyçe prioritare për Bashkimin Europian në vlerësimin e Shqipërisë. Në mënyrë që të mos pengohet zhvillimi i vendit, lufta ndaj korrupsionit përbën një prioritet të lartë. Dhe për ta përmbyllur: për ta luftuar korrupsionin në mënyrë eficiente, nevojitet një sistem drejtësie i mirë. Është e domosdoshme që populli shqiptar të rifitojë besimin tek institucionet shtetërore dhe që drejtësia të shërbejë si një instancë neutrale absolute dhe si gardiane e së drejtës në çështje konflikti mes palësh.

Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Austrisë ka një traditë historike shekullore dhe shqiptarët sot e kësaj dite i janë mirënjohës Vjenës për ndihmën e paçmuar, që dha në pavarësimin e Shqipërisë në vitin 1912. Çfarë këshille do t’i jepnit një vendi mik, i cili si yll polar ka Europën dhe integrimin e plotë në të? Cila është rruga që duhet të ndjekë?
Që prej fillimit të shekullit njëzet, rrethanat kanë ndryshuar mjaft për të dyja vendet, por bërthama e marrëdhënieve ka mbetur po e njëjtë: Austria është dhe mbetet një partnere e fortë dhe e besueshme për Shqipërinë. Para më shumë se 260 vitesh u hap konsullata e parë në Durrës, para 104 vitesh Austria ishte kumbare e krijimit të shtetit, para 60 vitesh u rivendosëm marrëdhëniet dypalëshe diplomatike dhe sot Austria është një ndër mbështetëset më të besuara të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Që me fillimin e fazës së transformimit në vitet e ashpra ‘90, Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë. Por e rëndësishme është që Shqipëria ta vazhdojë këtë rrugë pa u ngatërruar, edhe pse faza e transformimit shpesh duket e lodhshme dhe suksesi mund të jetë i prekshëm vetëm pas një afati të mesëm ose të gjatë.

Qeveria shqiptare, për herë të parë e ka rreshtuar Austrinë si partnere strategjike në rajon bashkë me Italinë, Turqinë dhe Greqinë. Cili është vlerësimi juaj për një partneritet strategjik midis dy vendeve tona?
Natyrisht, më gëzon shumë fakti që qeveria shqiptare e ka futur Austrinë në rrethin ekskluziv të partnerëve të saj strategjikë. Ky është një tregues i marrëdhënieve tona të ngushta dhe besimplote. Njëkohësisht këto rrethana janë një angazhim më shumë për të punuar më fort dhe gjithmonë aty ku është e mundur për të thelluar marrëdhëniet tona. Për këtë qëllim, në fillim të vitit përpunuam një planveprim dypalësh me këto pika kyçe: mbështetje konkrete në procesin e anëtarësimit në BE (përfshirë mbajtjen e takimit ‘Friends of Albania’ me ministrin e Jashtëm të Bashkimit Europian pas miratimit të reformës në drejtësi), forcimi i bashkëpunimit ekonomik (mes të tjerash në fushën e turizmit), intensifikimi i bashkëpunimit austriak për zhvillim, veçanërisht në fushën e arsimit (Shkolla Austriake Teknike në Shkodër dhe Tiranë, profesionalizimi i turizmit përmes shkollimit profesional në Sarandë dhe Korçë). Të gjitha këto projekte të rëndësishme do të implementohen shumë shpejt nën kujdesin tim.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: